Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin e sotëm me përfaqësuesit e Frontit Evropian publikoi për herë të parë, sic tha, deklaratën e përbashkët politike që më 13 janar është nënshkruar me përfaqësuesit e koalicionit VLEN, ku janë obliguar të bashkëpunojnë vetëm me aktorët politik që do të pajtohen t`I zbatojnë ndryshimet kushtetuese.
Sipas Ahmetit, nënshkruesit e deklaratës bashkë me të janë Arben Taravari, Afrim Gashi, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti.
“Ky dokument i nënshkruar është i deponuar dhe ne nënshkruesit të gjithë e dimë se ku e kemi deponuar. Çdo kontestim mbi këtë dokument është i pavërtetë dhe dëshmohet nga të gjithë aleat e miqtë tanë që janë interesuar, që ky vend të ecë përpara, të mos vendnumrojë”, tha Ali Ahmeti.
Ali Ahmeti I quajti luftë psikologjike njoftimet nëpër media për largimin e deputetëve nga Fronti Evropian. Përfaqësuesit e këtij Fronti u zotuan se do të respektojnë zotimet.
“Ne si ASH kuptohet se do të nderojmë fjalën tonë dhe do të vazhdojmë deri në fund me zotimet që i kemi marrë para qytetarëve dhe bashkërisht do të arrijmë që t`ia dalim, atë që e kishim premtim kryesor që sa më shpejt vendi të bëhet anëtare e BE-së’, tha Ziadin Sela.
Sipas Menduh Thacit, zotimet e deklaratës mund t`i realziojë vetëm Fronti Evropian.
“Krejt premtimi që është në dokument, për ndryshimet kushtetuese, është më I lehti që do ta realizojë Fronti. Kuptohet kur flet Fronti duhet të dëgjojnë edhe të tjerët që kanë dëshirë të merren me politikë”, tha Menduh Thaci.
Fronti Evropian shprehet se ata janë fituesit tek shqiptarët, duke përmendur edhe shifra të komunave dhe vendbanimeve shqiptare.
“Vendbanimet shqiptare ishin unanim, nga 18 komunat, fitues absolut në 12 komunat shqiptare ne si Front Evropian, na dhanë verdiktin dhe dëshmuan se Fronti Evropian duhet të jetë bartës I institucioneve që do të realizojnë synimet e tyre”, tha Skender Rexhepi.
“Fronti Evropian ka vendosur disa parime dhe popullata absolutisht e vlerësoi dhe e nxorri fitues në zgjedhjet e fundit. Ata të cilët kauzën e shndërrojnë në Pazar, përfundojnë në “tezgaxhinj”, prandaj rini rehat dhe të qetë, amaneti I votuesve të Frontit Evropian dhe shkojë në vend”, tha Arjanit Hoxha.
Në këtë takim u prononcuan edhe partitë e tjera pjesë të Frontit Evropian, ajo turke, rome dhe boshnjake të cilët shprehën fjalë mirënjohëse për të gjithë ata që kanë votuar dhe kanë qenë pjesë të kësaj fitore.
Në deklaratën e përbashkët mes tjerash thuhet se ndryshimet e propozuara kushtetuese kanë krijuar një situatë që duhet të shqyrtohet me kujdes, dialog të hapur dhe përkushtim të përbashkët për gjetjen e zgjidhjes së përhershme dhe gjithëpërfshirëse./tvklan.mk