Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, bashkë me Nënkryetarët partiak, Aleksandar Nikolovski, Vllado Misajllovski, Timço Mucunski dhe Gordana Koçoska Dimitrieska në njërën anë, kurse përballë tyre liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari, Bilall Kasami, Izet Mexhiti dhe Afrim Gashi.
Delegacioni i VMRO-DPMNE-së, zbarkoi në selinë e VLEN-it, sic u tha, për të nisur negociatat për formimin e Qeverisë së re.
“Janë dakorduar parimet e përgjithshme të bashkëpunimit për qeverinë e ardhshme, që do të bazohet në tri postulate; eurointegrimet, rritje e përshpejtuar ekonomike, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe sundimi i së drejtës. U konkludua se dy palët do të formojnë grupe pune, në nivelin e të cilëve do të vazhdojnë negociatat deri në finalizimin e tyre”, thonë nga VMRO – DPMNE.
Nga koalicioni VLEN thanë se negociatat shkojnë në drejtim të duhur, kurse nga e hëna nisin të formohen grupet e punës.
“Negociatat shkojnë në drejtim të duhur dhe më vonë do të njoftoheni përmes komunikatës. Lartë poshtë, nga e hëna fillojnë të formohen edhe grupet për të realizuar negociatat”, tha Bashkim Bakiu.
Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, VMRO-DPMNE-ja fitoi 58 deputetë kurse koalicioni VLEN – 13. Ky koalicion do të kishte një shumicë prej 71 deputetëve, por nga VMRO-DPMNE-ja kanë paralajmëruar se do të bisedojnë edhe me parti tjera opozitare, para së gjithash me Lëvizjen “Znam” të Maksim Dimitrievskit, i cili arriti të fitonte 6 mandate./tvklan.mk