ZGJEDHJET PARLAMENTARE
Në përbërjen e re të Parlamentit, hyjnë edhe partia “E Majta” dhe Lëvizja “Znam”. Partitë tjera që garuan në zgjedhjet parlamentare nuk shënuan rezultate të dukshme.
Në parlamentin e ri me nga 6 deputetë hyjnë edhe “Levica” dhe Lëvizja “Znam”. Partia e Apasievit fitoi 12.000 vota më tepër se e Dimitrievskit.
Dimitar Apasievi i “Levicës” paralajmëroi se kërkesa e parë e partisë do të jetë që vendi të bëhet një njësi zgjedhore.
“Levica fitoi 67.338 vota dhe me 26.000 vota tejkaloi rezultatin e kandidates së tyre presidenciale Biljana Vankovska që në rrethin e parë kishte fituar 41.331 vota.
Ndryshe ishte situata tek Lëvizja “Znam”, e cila në zgjedhjet parlamentare fitoi 55.539 vota apo 28.000 më pak se votat e Maksim Dimitrievskit si kandidat presidencial para dy javëve.
Dështim total shënuan partitë tjera. Përmenden partitë e Kryebashkiakes së Shkupit, Danela Arsovska dhe atij të Karposhit, Stevço Jakimovski.
Alternativa e Re e Arsovskës fitoi vetëm 3.438 vota në nivel vendi, kurse partia GROM e Jakimovskit fitoi 4.543 vota.
Krahas tyre, në zgjedhjet e 11-ta parlamentare, rezultate zhgënjyese pati edhe për parti tjera të vogla.
Partia “Maqedonia e vetme” fitoi 1.680 vota, “Avaja” – 2.909, Sovranistët – 959, “Partia Jote” – 1.738 dhe “Rodina” 1.092 vota.
Në fund të listës gjenden partia politike “Desna” me 527 vota, “Demokratët” me 904 dhe Partia e Punës me 437.
Më pak vota fitoi Lëvizja Qytetare Evropiane me 241 vota./tvklan.mk