VLEN dhe Fronti Evropian me aktivitete përmbyllëse të fushatës

ZGJEDHJET PARLAMENTARE

Partitë politike shqiptare po zhvillojnë sot aktivitetet e fundit, me të cilat edhe përmbyllin fushatën e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, të cilat do të mbahen më 8 maj.

Arbër Ademi nga Fronti Evropian, tha se, këto zgjedhje kanë një simbolikë të veçantë dhe tepër të rëndësishme – fitorja e agjendës evropiane ndaj asaj ruse, fitorja e së ardhmes më të mirë kundër tentimit për t’u rikthyer mbrapa para vitit 2001, siç u shpreh ai.

“Ne po ndërtojmë me vizion, ambicie, punë të palodhur dhe me këmbëngulje Maqedoninë për të gjitha gjeneratat, një Maqedoni për të gjitha etnitë, një Maqedoni evropiane dhe shumica e qytetarëve e dinë, e kuptojnë, e ndjejnë, prandaj edhe na votojnë”, tha Arbër Ademi.

Ndërkaq, Izet Mexhiti nga VLEN tha se, populli është përcaktuar për ndryshim dhe këtë e konfirmon edhe mobilizimi i diasporës që kanë ardhur në vend për të votuar, e që sipas Mexhiti, është në numër të konsiderueshëm.

“Fillimisht dua të falënderoj diasporën tonë që kanë ardhur nga të gjitha vendet e Evropës, nga Skandinavia, Gjermani, Zvicra, Italia, gjithandej nga janë, kanë lënë punët e tyre, familjet e tyre dhe janë afër 10 mijë të cilët kanë ardhur për ta vulosë ndryshimin”, tha Izet Mexhiti.

I pyetur se cilin nga kandidatët për president do të mbështesin votuesit e opozitës shqiptare, Mexhiti tha se qytetarët do të votojnë sipas bindjeve të tyre./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share