Pesë deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje nga Kosova, i janë bashkangjitur ditëve të fundit aktiviteteve të fushatës zgjedhore të koalicionit VLEN.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve të përbashkëta, mbrëmjen e së shtunës vizituan Lagjen e Trimave në Kumanovë, ku realizuan takime me banorët atje.
Nga VLEN thanë se, vizita e deputetëve nga VV në fushatë zgjedhore, ka për qëllim që të ndihmojë në sensibilizimin e votuesit i cili kërkon ndryshim.
“Kjo është një fortifikim apo një betonim i përkrahje që vjen nga LVV dhe nga kryeministri Albin Kurti kundrejt koalicion VLEN. Qëllimi i këtij koalicion është avancimi i të drejtave dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe asnjëherë ne nuk do të shmangemi nga ajo që është synim i joni dhe e jona”, tha Rijad Shaqiri nga VLEN.
Ndërkaq, nga VV u shprehën se në këtë mënyrë, kanë për qëllim të konfirmojnë mbështetjen e tyre ndaj koalicionit VLEN.
“Kemi ardhur të japim një konfirmim që VV e mbështet pa asnjë mëdyshje VLEN. Për atë edhe jemi këtu dhe po shpresojmë se, qytetari kësaj radhe do ta bëjë ndryshimin, pikërisht se i duhet ky ndryshim, i duhet me ardh njerëz me kredibilitet dhe njerëz të mirë me qeverisë me qytetarin, e rrjedhimisht më pas edhe me i çu në vend kërkesat e qytetarëve”, tha Nijazi Isaku, deputet i VV-së.
Në kuadër të qëndrimit të tyre në vend, deputetët nga Kosova së bashku me strukturat e VLEN në Shkup, zhvilluan një sërë aktivitetesh, përfshirë këtu edhe takime me aktivistët nga Komuna e Çairit dhe fshatrat e rrethinës së Shkupit. /TvKlan.mk