SHBA dënon sulmet kibernetike ruse ndaj vendeve evropiane

Shtetet e Bashkuara i kanë dënuar “fuqishëm” një sërë sulmesh kibernetike ruse kundër disa vendeve evropiane, përfshirë Gjermaninë, Lituaninë, Poloninë, Sllovakinë, Suedinë dhe Republikën e Çekisë.

Sipas SHBA-së, sulmet u kryen nga një njësit i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Rusisë (GRU).

Departamenti amerikan i Shtetit tha në një komunikatë për media më 3 maj se APT28, i njohur si Fancy Bear, është përgjegjës për sulmet ndaj caqeve të ndryshme – nga kompanitë e mbrojtjes dhe të hapësirës ajrore te operatorët e infrastrukturës dhe partitë politike.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë ta ndalë këtë veprimtari dashakeqe dhe t’u përmbahet zotimeve dhe detyrimeve të veta ndërkombëtare”, tha DASH.

Të premten më herët, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se Rusia do të përballet me pasoja për sulmet kibernetike ndaj vendit të saj.

“Tani ne qartësisht mund t’ia atribuojmë sulmin e vitit të kaluar grupit rus, APT28, që kontrollohet nga shërbimi rus i inteligjencës ushtarake, GRU”, tha Bearbock gjatë një konference për media në Adelaide më 3 maj.

“Me fjalë të tjera, hakerët shtetërorë rusë kanë sulmuar Gjermaninë në hapësirën kibernetike”, shtoi Bearbock.

Dhjetorin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se raportet mes Rusisë dhe Gjermanisë janë gjerësisht të ngrira.

Në janar të vitit 2023, Berlini tha se hakerët rusë kishin sulmuar disa ueb-faqe gjermane, duke i nxjerrë nga përdorimi, në përgjigje të vendimit të Gjermanisë për të dërguar tanke në Ukrainë. Megjithatë, atëbotë autoritetet gjermane thanë se sulmi nuk kishte ndonjë efekt të ndjeshëm. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share