Vëzhguesit nga “Romët për demokraci” kërkojnë siguri më të madhe në zgjedhjet e ardhshme

Përfaqësuesit e Fondacionit “Romët për demokraci” sot organizuan marsh në të cilin kërkuan mbrojtje më të madhe dhe praninë më të madhe të policisë gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 8 maj, duke theksuar se vëzhguesit e tyre në Strumicë janë përballur me kërcënime dhe tentativa për dhunë fizike, gjatë raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtur më 24 prill.

Marshi filloi para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) dhe përfundoi para Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup.

Para fillimit të marshit, drejtoresha ekzekutive e Fondacionit, Selvije M. Alkan njoftoi se do të kërkojnë takim urgjent me ministrin e Punëve të Brendshme, me qëllim që ai të garantojë mbrojtjen dhe forcimin e pranisë së policisë gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, në mënyrë që vëzhguesit të mund të vëzhgojnë procesin zgjedhor në mënyrë paqësore dhe të mos përballen me kërcënime dhe presione nga çdo strukturë politike.

Ajo theksoi se nëse nuk sigurohet mbrojtja për këta 200 vëzhgues, atëherë nuk do të ketë vëzhgim, gjegjësisht do të heqin dorë nga misioni i vëzhgimit.

Doan Mustafov tha se presionet dhe sulmet kanë ndodhur në hyrje të vendvotimeve. Sa herë që kanë dashur të bëjnë vërejtje në qendrën e votimit janë përballur me kërcënime. Kërcënimet, siç ka thënë ai, janë raportuar.

“Në trajnimet e KSHZ-së na është thënë se çfarë duhet të kemi parasysh ne si vëzhgues gjatë vëzhgimit të vendvotimeve. Por kur kemi dashur të theksojmë apo të bëjmë vërejtje se çfarë po ndodh në vendvotim, kemi marrë kërcënime”, shtoi Mustafov.

Murat Jasinov, i cili është pjesë e ekipit të Fondacionit, tha se po marshojnë për sigurinë e vëzhgimit dhe për lirinë e votës së romëve.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share