20 vjet nga “zgjerimi i madh”, më i rëndësishmi në historinë e BE

Kanë kaluar 20 vjet nga i ashtuquajturi “Big Bang”, ose zgjerimi i vitit 2004, kur Bashkimi Europian pranoi 10 vende të reja anëtare: Qipron, Republikën Çeke, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Maltën, Poloninë, Sllovakinë dhe Slloveninë.

Bashkimi Europian po feston 20-vjetorin mes luftës në Ukrainë dhe shqetësimit për ngritjen e së djathtës ekstreme përpara zgjedhjeve evropiane.

20-vjetori i “zgjerimit të madh”, i pesti me radhë dhe ndoshta më i rëndësishmi në historinë e Bashkimit Evropian.

Edhe Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të martën u fokusua në nevojën e përshpejtimit të zgjerimit të BE-së, por duke vënë theksin në sundimin e ligjit.

Në mbledhje u prezantua një dokument i përgatitur nga presidenca belge dhe Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore, i cili përfshin propozime se si të sigurohet që reformat të mbështesin sundimin e ligjit si brenda BE-së dhe në shtetet anëtare kandidate.

Autorët e raportit pranuan se reformat e shtetit të së drejtës në vendet kandidate nuk kanë dhënë rezultatet e pritura.

Si shembull u paraqit regresioni i Hungarisë në çështjet e demokracisë. Është e qartë se BE kërkon të forcojë monitorimin dhe zbatimin e standardeve të sundimit të ligjit në mënyrë që të jetë gati të mirëpresë anëtarët e rinj.

“Frena” e reformave, veçanërisht në vendet e Ballkanit Perëndimor, erdhi nga premtimet e vazhdueshme të pasigurta të dhëna nga BE, për përfshirjen e tyre. Gjithsesi, zgjerimi vazhdon të jetë politika më e suksesshme e BE-se, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e festoi në Pragë këtë përvjetor.

“Askush nuk harron, në fund të fundit, se hyrja e dhjetë shteteve të reja anëtare në atë kohë krijoi “Europën e re”. 1 Maji nuk ishte vetëm lindja e një Bashkimi më të madh. Ishte lindja e një epoke të re”, tha ajo.

20 vjet më parë ekzistonte shqetësimi sesi do të integroheshin të gjitha këto shtete dhe kryesisht për “koston” e zgjerimit që do të sillte në Europën e bashkuar. Edhe shtetet anëtare përfituan gjithashtu duke rritur pothuajse dyfish eksportet e tyre drejt anëtarëve të rinj të familjes europiane.

Sipas të dhënave të Komisionit Europian, mesatarja e PBB-së për frymë të 10 vendeve anëtare që iu bashkuan BE-së. 20 vjet më parë u rrit nga 59% e mesatares së Bashkimit Evropian në 81% ndërsa pagat mesatare u dyfishuan gjatë periudhës 20-vjeçare. Niveli i varfërisë dhe përjashtimit social ra nga 37% në 2005 në 17% në 2020.

Megjithatë, ky rezultat është vënë në pikëpyetje tani sepse zgjerimi në dhjetë vitet e fundit ka “ngrirë”. Tashmë po shprehet shqetësimi për hyrjen e 9 shteteve të reja anëtare dhe veçanërisht Ukrainës për shkak të madhësisë së saj. Ukraina, për shembull, do të ketë të drejtën e përfitimit të 186 miliardë eurove për 7 vjet.

Prandaj, buxheti i BE-së pritet të jetë çështja më e diskutueshme dhe do të duhet të zgjidhet deri në vitin 2027, përpara fillimit të kornizës së ardhshme financiare shumëvjeçare. Von der Leyen ka kritikuar vendosjen e vitit 2030 në kalendarin e zgjerimit të propozuar nga presidenti i Këshillit Europian për integrimin e vendeve kandidate deri në vitin 2030.

Megjithatë, Komisioni Europian për shkak të trazirave gjeopolitike pranon se integrimi i Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës është një “imperativ” gjeopolitik dhe strategjik. Prandaj është një “bast” për BE-në, se si do të peshojë interesat e saj gjeostrategjike.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share