Sekretari i Shtetit Antony Blinken në një tjetër vizitë në Arabinë Saudite mbajti bisedime me zyrtarë nga disa vende arabe mbi luftën në zhvillim midis Izraelit dhe Hamasit. Duke folur në kryeqytetin saudit, Riad, në hapjen e takimit të Këshillit të Bashkëpunimit SHBA-Gjiri Persik, Blinken tha se mënyra më efektive për të lehtësuar krizën humanitare në Rrip ishte arritja e një armëpushimi.
“Mënyra më efektive për të adresuar krizën humanitare në Gaza, për të lehtësuar vuajtjet e fëmijëve, grave dhe burrave dhe për të krijuar hapësirë për një zgjidhje më të drejtë dhe më të qëndrueshme është të arrihet një armëpushim dhe lirimin e pengjeve. Por ne gjithashtu nuk po presim një armëpushim për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të përmbushur nevojat e civilëve në Gaza.“
Blinken u shpreh gjithashtu se Irani është një burim më i madh i destabilitetit në rajon duke marrë shkas nga sulmet e fundit të cilat kanë rritur frikën e përhapjes së konfliktit.
“Ne kemi parë përparim të matshëm në javët e fundit, duke përfshirë hapjen e kalimeve të reja dhe rritjen e vëllimit të shpërndarjes së ndihmave brenda dhe jashtë Gazës, si dhe ndërtimin e korridorit detar amerikan, i cili do të hapet në javët e ardhshme. Por nuk mjafton.”
Mes të tjerash ai theksoi se takime të tilla në Arabinë Saudite treguan se ka shumë kombe të cilat njëzëri janë të interesuara drejt integrimit më të madh, sigurisë dhe paqes. Ai i kërkoi Izraelit të bëjë më shumë për të lejuar ndihmat humanitare në Rripin e Gazës, ndërsa vuri në dukje disa përparime.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit ka bërë të ditur se Blinken do të mbajë gjithashtu bisedime me zyrtarë arabë dhe evropianë për të biseduar rreth planeve për rindërtimin e Gazës. Ndërkaq, Egjipti dhe Katari po bëjnë përpjekje të reja për një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës.
Hamasit dhe Izraelit i është dërguar një propozim i ri që aktualisht po shqyrtohet nga palët, ndërsa u janë dërguar edhe ftesa për një takim në Kajro. E teksa ushtria izraelite po bëhet gati për sulmin përfundimtar tokësor në Rafah, kreu i autoritetit palestinez Mahmud Abas i bëri thirrje të drejtpërdrejtë Uashingtonit, të mos e lejojë.