Rreziku i armëve pa leje: Kërcënim për sigurinë e qytetarëve në Kosovë

Zyrtarët e Kosovës dhe përfaqësues ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me armët pa leje që qytetarët mbajnë. Kjo dukuri paraqet një rrezik serioz për rendin dhe sigurinë publike, por mbi të gjitha, për jetën e tyre.

Sipas raporteve të Policisë së Kosovës, çdo vit konfiskohen rreth 1500 armë ilegale në vend. Nuredin Ibishi, ekspert i Sigurisë, thekson se vrasjet që ndodhin në Kosovë janë shpesh rezultat i posedimit të armëve ilegale.

Ibishi vlerëson se për parandalimin e kësaj dukurie duhet të ndërmerren masa qytetare dhe institucionale. “Shtimi i menjëhershëm i masave ndëshkuese dhe atyre parandaluese do të ndikojë në zvogëlimin e armëve ilegale në duart e qytetarëve,” thotë ai.

Ministria e Punëve të Brendshme duhet të vepronte sa më shpejt për të ndërmarrë masa parandaluese dhe për të legalizuar armët. “Pres që së shpejti Ministria e Punëve të Brendshme të miratojë ligjin për legalizim, duke filluar një proces të ri për të dorëzuar armët e paligjshme dhe për të zvogëluar rrezikun,” shton Ibishi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se duhet të rishikohet Kodi Penal i Kosovës për të adresuar më mirë rastet e armëmbajtjes pa leje. “Institucionet duhet të angazhohen për të shmangur neglizhencën në këto raste,” ka deklaruar ministrja Haxhiu.

Statistikat e Policisë tregojnë se armët janë një problem i madh. Vetëm për dy muajt e parë të vitit 2024, janë raportuar 270 raste të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ndërsa, llogaritet se rreth 250 mijë armë janë pa leje në Kosovë. Është koha që të gjithë të bashkëpunojnë për të garantuar sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve.

Lexo gjithashtu

Tërmet në Kosovë

Para pak minutash, një tërmet është regjistruar në territorin e Republikës së Kosovës. Sipas “Meteo Kosova”, tërmeti është…
Më tepër
Total
0
Share