Gostivari sërish në zi! Ndërroi jetë sipërmarrësi Taip Fidani

Pasditën e së martës, pas një sëmundje të papritur ka ndërruar jetë sipërmarrësi gostivaras në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës, Taip Fidani.

I angazhuar në biznes familjar tradicional, Fidani menaxhonte disa biznese gastronomie në Sarajevë.

Vdekja e tij ka pikëlluar banorët e Gostivarit.

Me ngushëllime ndaj familjes Fidani kanë dalur kryetari i komunës Arben Taravari e kryetari i degës së BDI-së Valdet Xhaferi.

”Na tronditi thellë lajmi për vdekjen e mërgimtarit tonë Taip Fidani në Sarajevë. Taipin do ta kujtojmë për humanizmin e tij si një aktivist i palodhshëm për vendlindjen dhe për shoqatat shqiptare në Sarajevë. Zoti e pastë afër këtë njeri të mirë”, ngushëlloi Taravari.

”Edhe një lajm pikëllues vjen nga Sarajeva. Me keqardhje mësova lajmin për ndarrje të papritur nga jeta të bashkëvendasit tonë të nderuar, Taip Fidani. Ishte një sipërmarrës i sukseshëm në Bosnje e Hercegovinë. Ishta një njeri me zemër të madhe dhe çdo gostivaras që vizitonte Sarajevën e gjente një derë të hapur e respekt të jashtëzakonshëm nga Taipi. Taipin do ta mbajmë në mend si njeri zemërgjerë e human, një njeri të vullnetit të mirë e plot energji pozitive. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Fidani dhe të gjithë miqt e të ndjerit.Qofsh i Xhennetit Firdeus, Taip”, ngushëlloi Xhaferi.

Kujtojmë se Fidani njihej si një aktivist i palodhshëm për vendlindjen dhe për shoqatat shqiptare në Sarajevë.

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share