Autoritetet daneze janë vendosur në gatishmëri të shtuar për shkak të dështimit gjatë procesit të lëshimit të një rakete nga ushtria.
Incidenti ka të bëjë me një lëshues të raketave të llojit Harpoon, i vendosur në bordin e fregatës “Niels Juel”, e cila ndodhet e ankoruar në stacionin detar Korsør.
Sipas mediave daneze përforcuesi i lëshuesit të raketës është aktivizuar dhe nuk mund të çaktivizohet pasi ka një defekt. Për këtë arsye ekziston rreziku që raketa të lëshohet në çdo çast dhe të fluturojë disa kilometra larg.
Në një deklaratë, ushtria e Danimarkës tha se problemi me raketën ndodhi “gjatë një testi të detyrueshëm ku lëshuesi i raketës është aktivizuar dhe nuk mund të çaktivizohet”.
Incidenti ka bërë që Danimarka të mbyllë menjëherë hapësirën e saj ajrore dhe korsitë e transportit detar pranë një ngushtice kyçe, siç është ajo e Brezit të Madh.
Autoriteti Detar i vendit lëshoi një paralajmërim për anijet që të shmangin një pjesë të ngushticës së Brezit të Madh për shkak të rrezikut të rënies së fragmenteve të raketave. Anijeve iu kërkua të hidhnin spirancën nëse gjykohej e nevojshme.
Zona e rrezikut vlerësohet të jetë deri në 5-7 km nga stacioni detar Korsør, në një lartësi rreth 1000 metra mbi ujë në drejtim jugor dhe jo në drejtim të urës së Brezit të Madh.
Sa i përket raketës “Harpoon”, ajo është një raketë e mprehtë, por edhe nëse përforcuesi aktivizohet para ndërhyrjes së ekspertëve, nuk ka rrezik që raketa të arrijë më larg sesa mund të shtyjë përforcuesi./a2