Zelensky: Kievi nuk ka nevojë të mobilizojë 500 mijë trupa

Përpara ofensivës së madhe ruse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina nuk ka nevojë të mobilizojë 500.000 trupa të tjerë në ushtrinë e saj. Zelensky tha se shifra prej 500.000 trupave ishte e gabuar, pasi ushtarët në dispozicion mund të dërgohen nga prapavija në front. Por sipas tij Rusia është duke u përgatitur t’i thërrasë në ushtri 300.000 trupa më 1 qershor një gjë që është mohuar nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Ne e kuptojmë qartë se për çfarë po përgatiten ata në Rusi, se çfarë duan, se për çfarë do të rekrutojnë ushtarë…dhe të gjithë ne, partnerët tanë, duhet patjetër t’i përgjigjemi fuqishëm operacioneve ruse”, tha Zelensky.

Mes të tjerash Presidenti i Ukrainës ka nënshkruar një projekt-ligj për uljen e moshës minimale të rekrutimit nga 27 në 25 vjeç. Projektligji zgjeron numrin e civilëve që ushtria mund të mobilizojë në radhët e saj.

Gjithashtu edhe Rusia është duke rritur numrin e ushtarëve në dy mënyra përmes thirrjes në ushtri të qytetarëve nga mosha 18 deri në moshën 30-vjeçare përmes një fushate që nisi më 1 prill dhe përmes nënshkrimit të kontratave me Ministrinë e Mbrojtjes.

Nga ana tjetër luftimet intensive vijojnë në front. Një sulm me dron rus goditi ndërtesat e banimit në qytetin ukrainas të Kharkiv dhe një objekt energjetik në rajon duke vrarë katër persona dhe duke ndërprerë energjinë për 350,000 banorë.

12 persona mbetën të plagosur ndërsa autoritetet u vendosën në dispozicion për të shpëtuar banorët e bllokuar në apartamentet e tyre për shkak të dëmtimeve nga sulmi me dron. Ndërtesa dyqane si dhe një objekt mjekësor u dëmtuan nga sulmi. Rusia përdori të paktën 20 dronë në sulmet në Kharkiv, ndërsa mbrotja e Ukrainës rrëzoi 11 drone Shahed. Dronët goditën gjithashtu termocentralin Zmiivska në rajon i cili është sulmuar vazhdimisht nga dronët në javët e fundit.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share