Pa ndonjë pajtueshmëri rreth cështjes së dinarit ka përfunduar edhe takimi i tretë Kosovë Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi tha se pala serbe nuk u pajtua me propozimin e ndërmjetësit Miroslav Lajcak.
”Fatkeqësisht, edhe sot kemi pas dallime të mëdha. Përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet me të cilat qytetarët serbë mund të marrin mbështetje financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka vepruar si avokate e Bankës së Postës serbe dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes i palëve të përfshira. Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçaku ka nxjerr një propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së” – tha Besnik Beslimi, kryenegociator i Kosovës.
Derisa pala serbe ka akuzuar atë të Kosovës se nuk ka pasur vullnet për një marrëveshje.
“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë” tha Petar Petkoviq- Kryenegociator i Serbisë.
Takimi I radhës pritet të mbahet pas dy javësh.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.