Përhapja e qelizave malinje në gjëndrat limfatike ndodh në një fazë të caktuar të kancerit

Prania e qelizave kancerogjene në gjëndrat limfatike tregon praninë e një tumori në trup dhe vendi i origjinës së tij përcaktohet me biopsi

Gjëndrat limfatike, së bashku me enët limfatike, janë pjesë e sistemit limfatik, i cili është pjesë përbërëse e sistemit imunitar të njeriut.

Enët limfatike transportojnë një substancë – lëngun limfatik, i cili përmban qeliza të bardha të gjakut dhe ndihmon një person të luftojë infeksionet.

Në disa raste, ënjtja e gjëndrave limfatike ose e nyjave limfatike mund të tregojë zhvillimin e kancerit dhe ka edhe tumore që fillojnë të zhvillohen pikërisht në këto gjëndra, transmeton Telegrafi.

Tri lloje të kancerit zhvillohen në nyjat limfatike

Prania e qelizave kancerogjene në gjëndrat limfatike tregon praninë e një tumori në trup, mirëpo disa lloje kanceri fillojnë të zhvillohen pikërisht në gjëndrat limfatike, si limfoma Non-Hodgkin dhe limfoma Hodgkin. Bëhet fjalë për dy lloje kanceri të sistemit limfatik, të cilëve duhet t’u shtohet edhe leucemia limfocitare.

Megjithatë, nëse nuk përfshihet asnjë nga këto tri gjendje, qelizat e kancerit që shfaqen në gjëndrat limfatike mund të tregojnë një fazë të avancuar të kancerit që është përhapur nga diku tjetër në trup.

Kjo do të thotë se ne po flasim për metastaza sepse disa qeliza kanceroze shkëputen nga tumori dhe metastazojnë diku tjetër. Këto qeliza kanceroze mund të udhëtojnë përmes qarkullimit të gjakut dhe të arrijnë në organe të tjera ose të kalojnë nëpër sistemin limfatik dhe të arrijnë në gjëndrat limfatike. Megjithatë, shumica e qelizave kancerogjene që udhëtojnë përmes qarkullimit të gjakut ose sistemit limfatik “vdesin” ose shkatërrohen para se të kenë një shans për të dhënë metastaza, sipas American Cancer Society.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share