Opozita hesht dhe nuk distancohet nga akuzat të cilat sekretari i Lëvizjes BESA, Adnan Azizi, i ka bërë dje ndaj Televizionit Klan Maqedoni por edhe ndaj gazetarëve dhe opinionistëve të caktuar nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët kanë marrë pjesë në emisionet debative në Klan Maqedoni. Megjithatë edhe gjatë ditës së sotme, në opinion ka pasur reagime të shumta kundër akuzave të funksionarit të Lëvizjes BESA. Bashkimi Demokratik për Integrim i ka quajtur shpifje akuzat e bëra nga Azizi se, kjo parti paguan opinionistët dhe gazetarët nga Shqipëria dhe Kosova për të mbrojtur BDI-në dhe akuzuar opozitën.
BDI
“Adnan Azizi, figura kontroverse e nëntokës korruptive, eksponent i lartë i bizneseve të Kasamit dhe i opozitës shqiptare, shpif dhe ofendon televizionin Klan Maqedoni, figura mediatike si Blendi Fevziu e Berat Buzhala, Ermal Panduri e Lirim Mehmetaj si dhe shumë të tjerë. Bashkimi Demokratik për Integrim me shqetësim të thellë ndjek shpifjet dhe akuzat e pabaza me prirje diktatoriale ndaj çdonjërit që mendon ndryshe nga opozita, ndërsa fton të njëjtit të mos involvojnë struktura, personalitete, gazetarë dhe media nga Shqipëria dhe Kosova në fushatën parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe mos të ofendojnë media dhe gazetarë”.
Edhe PDSH e ka dënuar gjuhën e urrejtjes dhe fyerjeve të Adnan Azizit ndaj gazetarëve. Nga kjo partia kanë porositur që rasti të trajtohen më seriozisht dhe të ndërmerren masa adekuate.
PDSH
“Me këto veprime Adnan Azizi dhe koalicioni i të ashtuquajturës opozitë Shqiptare vetëm e dëshmojnë frikën e tyre me kyçjen e PDSH-së në Frontin Europian. Kërkojmë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AG, Shoqata e Gazetarëve Europianë në Shqipëri, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele që të shqyrtojnë këtë rast dhe të marrin masa konkrete ndaj këtyre shpifjeve dhe fyerjeve kundër gazetarëve”.
Ndërkaq, gazetari dhe botuesi i gazetës KOHA, Lirim Dullovi ka kërkuar nga Aziri që të kërkojë sa më parë falje për fyerje ndaj gazetarëve nga Kosova dhe Shqipëria.
Lirim Dullovi, Gazeta KOHA
“I nderuar Adnan Aziri, keni akuzuar rëndë kolegët tanë nga Kosova e Shqipëria. Ata, në vendet e tyre janë vlerësuar lartë për punën që bëjnë, pavarësisht që ju, po ndoshta edhe unë, në disa raste nuk ndajmë me ta të njëjtat pikëpamje. Megjithatë, kjo nuk na jep të drejtë as mua, dhe askujt tjetër, që të baltos këto figura duke shpifur akuza të rënda se janë të shitur”.
Pas transmetimit të emisionit Debat Plus në Klan Maqedoni, në të cilin edhe më tej do të zhvillohen tema rreth zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, Adnan Azizi nga Lëvizja Besa, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ka akuzuar gazetarët dhe opinionistë nga Shqipëria e Kosova se janë të korruptuar dhe paguhen nga BDI. /tvklan.mk