KRONIKË E ZEZË
Mjeku 67 vjeçar me iniciale A.T. është therur për vdekje në orët e vona të ditës së djeshme. Akti i vrasjes është kryer në parkingun afër poliklinikës “Zhelezara”, ku ende qëndrojnë në tokë gjurmët nga gjaku i derdhur. Pas kryerjes së ekspertizës në vendin e ngjarjes nga organet kompetente, vetura ku është gjetur trupi i pajetë i mjekut është larguar dhe është marrë për ekspertizë nga organet hetuese. Motivet e vrasjes, mbeten ende të panjohura për opinionin. Trupi i pajetë i mjekut është gjetur nga djali i të ndjerit, i cili më pas ka paraqitur rastin në polici.
“Më 21.03.2024 në orën 23.09 në SPB Shkup është paraqitur se në veturën personale “Kia” me tabela të regjistrimit të Shkupit, në parkingun para ish klinikës Zhelezara, është gjetur A.T. (67) nga Shkupi, me plagë therëse në trup. Sipas paraqitjes, ai është gjetur nga djemtë e tij, të cilët kanë filluar ta kërkojnë pasi nuk është kthyer nga puna në shtëpi. Një mjek i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore konstatoi vdekjen” – thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ekspertizë në vendin e ngjarjes ka bërë edhe Prokuroria Publike, prej ku kërkuan trupi i pajetë të dorëzohet për autopsi.
“Prokurori publik dha urdhër për autopsi, si dhe urdhër për mbledhjen dhe analizë të të gjitha gjurmëve të gjetura në vendin e ngjarjes dhe për sigurimin e incizimeve nga video- mbikëqyrja. Po ndërmerren veprime për zbardhjen e ngjarjes” – thonë nga Prokuroria Publike.
Ndaj këtij rasti kanë reaguar shoqatat e mjekëve. Oda e mjekëve dënoi vrasjen e mjekut dhe kërkoi nga organet kompetente zbardhje urgjente të rastit.
“Theksojmë se, nuk duhet të tolerohet asnjë lloj I dhunës në shoqëri, sepse dhuna nuk është mënyrë adekuate në të cilën zgjidhen problemet. Theksojmë kërkesën publike që, institucionet kompetente të veprojnë urgjentisht për këtë rast dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’i konstatuar rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarjen dhe rrjedhimisht gjetjen e autorit dhe sanksionimin e tij” – thonë nga Oda e Mjekëve.
Ndërkohë, nga Shoqata e Mjekëve Amë privat, paralajmëruan se të hënën, nga ora 12 deri në 16 do të ndërpresin punën e tyre, si shenjë revolte ndaj vrasjes së mjekut, i cili po ashtu punonte mjekë amë në Poliklinikën e Zhelezarës. /tvklan.mk/