Shkolla e Çashkës së Velesit/ Xhaferi: Në plan formimi i shkollës së re!

Në kuadër të kompromisit me të gjitha palët e implikuara, Kryeministri Talat Xhaferi, gjatë vizitës në Shkollën Fillore “Todor Janev” të Çashkës, njoftoi se është gjetur një zgjidhje.

Prej vitit të ardhshëm, sic tha Xhaferi, është në plan formimi i shkollës së re “Dituria”, me çka do të mundësohet që mësimi të zhvillohet në institucione të ndara fizikisht.

“Nxënësit që mësojnë në gjuhën shqipe, do të vazhdojnë të mësojnë deri në fund të vitit në këtë objekt. Në rrjedhë janë procedurat për realizimin e vendimit të Qeverisë për themelim të subjektit të ri të shkollës në të cilën do të mësohet në gjuhën shqipe dhe nxënësit nga viti I ardhshëm shkollor që mësojnë në gjuhën shqipe, nga këto objekte do të transferohen në objekt të ri”, tha Talat Xhaferi.

Sipas Ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri, shkolla e re do të ndërtohet disa kilometra larg shkollës ku protestuan prindërit e nxënësve maqedonas. Ai nuk sheh pengesë që në shkollën e re të transferohen edhe nxënësit shqiptar që ndjekin mësimin në gjuhën maqedone.

“Fillimisht objekti duhet ndërtuar. Është caktuar në pjesën e Banjishtës në të cilën ka edhe një fushë sporti. Fillimisht ata nxënës që janë në klasë të parë dhe që duhet të vazhdojnë atje, fëmijtë e rinj që do të regjistrohen në gjuhën shqipe dhe secili tjetër I cili do të ketë nevojë, kërkesë konform ligjit për arsim fillor dhe mundësive në bazë të financimit të MF-së, nuk shoh asnjë lloj pengese ligjore që edhe të tjerët, nëse sigurohet punësimi, kuadrot të mund të transferohen”, tha Jeton Shaqiri.

Kreu I Komunës së Çashkës, Goran Stojanovski, thotë se askush nuk e konteston të drejtën e mësimit në gjuhën amtare, duke bërë thirrje që të respektohen ligjet e vendit. Ai nuk e sheh si zgjidhje ndarjen e nxënësve në baza etnike, por thotë se zgjidhja e vetme janë propozimet e Kryeministrit dhe Ministrit të Arsimit.

“Komuna e Çashkës dhe unë si Kryetar Komune gjithmonë kemi patur qëndrim të prerë se ligjet në RMV duhet të vlejnë për të gjithë. Duke marrë parasysh dispozitat statutare në këtë shkollë, zgjidhja e vetme që nxënësit të mësojnë në gjuhën amtare është atë që thanë Kryeministri dhe Ministri i Arsimit”, tha Goran Stojanovski.

Për nxënësit e Çashkës, mësimi nuk do të përfundojë në afatin e paraparë. Do të duhet të kompensohen orët e humbura për shkak të protestave të prindërve të nxënësve maqedonas.

Qeveria në shkurt njoftoi se nën patronazhin e Kryeministrit Xhaferi ishte tejkaluar problem dhe se nxënësit i kthehen mësimit./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share