Pavarësisht përmirësimit në nivelet e ndotjes së ajrit, Sipas të dhënave të fundit nga IQAIR, Maqedonia ka regjistruar një pozicion të dytë në listën e vendeve më të ndotura në Evropë për vitin 2023. Gjatë këtij viti vendi ka shënuar një ulje të ndotjes me 0,4 mikrogramë për metër kub të grimcave PM2.5, duke arritur një mesatare prej 25.2 mikrogramë, sipas të dhënave të fundit. Ky përmirësim, megjithëse modest, shënon një hap drejt adresimit të problemeve mjedisore që prekin rajonin.
Në kontekstin më të gjerë evropian, Bosnja dhe Hercegovina mbetet vendi më i ndotur, ndërsa Maqedonia vendin e dytë, si dhe shtetet fqinje si Mali i Zi, Serbia, Turqia, Greqia dhe Shqipëria gjithashtu përballen me sfida të mëdha në këtë fushë. Në listën e 15 qyteteve më të ndotura në Evropë, Strumica dhe Tetova nga Maqedonia janë renditur në vendin e 12-të dhe të 14-të përkatësisht, ndërsa Shkupi është i 30-ti në botë.
Sipas mjekëve pulmonologë, ndotja e ajrit qëndron si një alarm serioz për shëndetin publik, duke shkaktuar një sërë problemesh shëndetësore. Në një perspektivë globale, Maqedonia ka arritur një përmirësim të vogël, duke u ngjitur nga vendi i 31-të në vendin e 32-të në mesin e 134 vendeve të analizuara për ndotjen e ajrit. Kjo tregon një trend pozitiv, por ende ka shumë punë për të bërë.
Raportet ndërkombëtare theksojnë se ndotja e ajrit është një vrasës i heshtur që merr jetën e rreth shtatë milionë njerëzve çdo vit, një numër më i lartë se vdekjet nga SIDA dhe malaria së bashku. Kjo çështje është veçanërisht e theksuar në vendet në zhvillim, ku mungesa e matjeve të besueshme të cilësisë së ajrit pengon përpjekjet për të luftuar këtë problem global.