Kombëtarja shqiptare nisi përgatitjet për miqësoret e marsit, sot bashkohen me grupin dy lojtarët e fundit

Kombëtarja shqiptare nisi dje përgatitjet për dy ndeshjet miqësore ndaj Kilit (22 mars, stadiumi ‘Ennio Tardini’, ora 20:45) dhe Suedisë (25 mars, stadiumi ‘Friends Arena’, ora 19:00). Kuqezinjtë zhvilluan pasditen e së hënës seancën e parë stërvitore në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, ku fillimisht punuan në palestër, ndërsa më pas dolën në fushën e lojës.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në këtë seancë të parë, nën drejtimin e trajnerit Sylvinho janë stërvitur 24 lojtarë, një pjesë e të cilëve morën ngarkesa të plota fizike, ndërsa lojtarët që kanë luajtur të dielën në kampionatet respektive u stërvitën veçmas.

Në bashkëpunim me ekipin kombëtar U-21, kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore të përbashkët. Qazim Laçi dhe Naser Aliji janë bashkuar gjatë mbrëmjes së djeshme me ekipin kuqezi, teksa grupi i plotë do të marrë pjesë rregullisht në seancën e radhës stërvitore, që do të zhvillohet sot.

Kombëtarja kuqezi do të qëndrojë në Tiranë deri të enjten në mëngjes, për t’u nisur më pas drejt Italisë, ku pasdite do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore në kuadër të ndeshjes miqësore me Kilin, e cila do të luhet në stadiumin ‘Ennio Tardini’ të Parmës më 22 mars, duke nisur nga ora 20:45.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share