Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, është shprehur se mendon shpesh që ta lërë “punën e tij të çmendur”. Megjithatë pavarësisht këtyre mendimeve planet e tij janë që të kandidojë edhe në zgjedhjet e ardhshme, sipas asaj që shkruan BBC.
Duket se ndaj Trudeau janë shtruar shumë pyetje sa i përket të ardhmes së tij politike duke qenë se sondazhet thonë se ai e ka humbur popullaritetin mes kanadezëve. Në një intervistë për Radio Canada, kryeministri kanadez foli edhe për sakrificat e tij personale në krye të detyrës.
Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Kanada do të mbahen në Tetor të vitit 2025. Sondazhet në publik tregojnë se kanadezët janë të pakënaqur me qeverinë e tij, të nxitur nga zhgënjimi për çështje si përballueshmëria e banesave dhe kostoja e jetesës.
Këto pakënaqësi kanë nisur spekulimet mes qarqeve politike se Trudeau mund të jetë duke parë daljen nga politika, e madje disa aleatë kanë sugjeruar se është koha që ai të largohet. Por këto janë hedhur poshtë në një intervistë 24-minutëshe.
“Nuk mund të jem njeriu që jam dhe ta braktis luftën në këtë pikë”, tha ai.
“E mendoj dorëheqjen çdo ditë. Është një punë e çmendur ajo që po bëj, duke bërë sakrifica personale. Sigurisht që është e vështirë, me raste është edhe shumë e mërzitshme”, tha Trudeau i cili qëndron në krye të qeverisë prej vitit 2015.
Trudeau erdhi në fuqi me një fitore të thellë që i dha fund pushtetit prej një dekade të konservatorëve në Kanada. Por mbështetja mes Liberalëve i ka rënë gjatë dy zgjedhjeve të fundit.
52-vjeçari tha të premten se i hyri politikës jo për t’u bërë i fashmëm, e as për arsye personale, por sepse donte të shërbente dhe kishte diçka për të ofruar.
Edhe në aspektin personal nuk duket se gjithçka po shkon si duhet. Vitin e kaluar, ai dhe gruaja e tij njoftuan se po ndaheshin. Ata kanë tre fëmijë së bashku./tvklan.al