Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nuk miratoi ligjin për lojërat e fatit. Edhe pse në seancë votuan shumica e deputetëve të pranishëm, për të kaluar ky ligj nevojiteshin 61 deputetë.
Arbër Ademi nga BDI, që është propozuese e ligjit, akuzoi opozitën shqiptare se ishte në koordinim me VMRO – DPMNE-në, për të mos lejuar miratimin e këtij ligji.
“Dje edhe pse pate 51 vota “për”, pra shumica e deputetëve të cilët ishin në seancë u deklaruan për ligjin që të miratohet i njëjti, që të largohen kazinot dhe bastoret nga institucionet arsimore, fatkeqësisht nuk u plotësua kushti prej 61 deputetëve për arsye se, opozita shqiptare i bëri favor kazinove dhe bastoreve, nuk ishin në seancë, po ashtu nuk votuan në favor të ligjit, kundër votuan grupi parlamentar i VMRO – DPMNE-së dhe Levicës”, deklaroi Arbër Ademi.
Sa i përket shumicës parlamentare, Ademi tha se grupi parlamentar i LSDM-së ka mbështetur këtë ligj, megjithatë partnerët e koalicionit të LSDM-së ishin kundër.
Ai nuk deshi të përgjigjet se a do të mbështesin Pendarovskin në rrethin e dytë për president të shtetit, në rast se kandidati i BDI-së nuk shkon në rreth të dytë.
“A kemi vërejtje ndaj presidentit të shtetit që nuk e nënshkroi dekretin – po, dhe këtë e kemi thënë jo njëherë, por në disa raste, çdoherë kur jemi pyetur në lidhje me këtë çështje. Por, unë e di vendimin e grupit parlamentar të LSDM-së dhe ajo u reflektua mbrëmë”, tha Ademi.
Ndryshimet ligjore për lojërat e fatit u kthyen sërish para deputetëve, pasi presidenti i shtetit Stevo Pendarovski më 13 shkurt, nuk e nënshkroi dekretin për ligjin, sepse procedura u zhvillua me flamur evropian./tvklan.mk