ESKOBAR NË KOSOVË
Një ditë pasi hodhi kritika të rënda ndaj kryeministrit Albin Kurti, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor arriti në Prishtinë ku takoi presidenten Vjosa Osmani.
Kjo e fundit paraprakisht kishte pritur në zyrën e saj kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca për të harmonizuar qëndrimet.
Gjatë takimit dyorësh që Escobar zhvilloi me presidenten, kryeministri Albin Kurti mblodhi kabinetin qeveritar ku kërkoi nga Agjencia Kadastrale të zbatoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 e cila ia njeh pronat 24 hektarëshe Manastirit të Decanit.
Pas këtij vendimi kryeministri ka vizituar komandantin e KFOR-it.
Emisari i SHBA-së, pas takimit me Osmanin ka përshëndetur vendimin e Qeverisë, e presidenten e quajti garantuese kryesore të raporteve Kosovë-SHBA .
”Është shumë i rëndësishëm vendimi i sotëm për Manastirin, ishte i vështirë, por i domosdoshëm. Falënderojmë institucionet për këtë hap. Jemi të shqetësuar për ngjarjet e 24 shtatorit. Presim dhe e ftojmë Serbinë që të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë e të marrin dënimin e merituar. Kemi shumë për të diskutuar për sfidat, përfshirë edhe vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, për të gjetur mënyra për të ecur para me dialogun. Këtu përfshihet edhe Asociacioni, por jo vetëm” – tha Gabriel Escobar- I Dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Presidentja Osmani e cilësoi të domosdoshëm bashkëpunimin me SHBA-në të cilën e konsideron kyqe në përmbylljen me sukses të dialogut. Foli edhe për rregulloren e Bankës Qendrore.
Escobar më pas në ambasadën amerikane në Prishtinë ka pritur përfaqësuesit serbë të shoqërisë civile, në mbrëmje pritet të takohet edhe me krerët e partive parlamentare opozitare. Me kryeministrin Albin Kurti ai pritet të zhvilloj takim të enjten.