Një anije me rreth 200 ton ushqime për në Gaza, u largua nga porti në Qipro, si pjesë e një projekti pilot për të hapur një rrugë të re detare ndihme për popullsinë në prag të urisë.
BBC News raporton se anija spanjolle “Open Arms” me ndihma humanitare u pa duke lundruar nga porti i Larnaka në Qipro herët gjatë ditës së sotme. Akoma nuk është bërë saktësisht e ditur se ku pritet të ankorohet anija kur të arrijë në Gaza.
Misioni, i financuar kryesisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe, po organizohet nga shoqata bamirësie me bazë në SHBA, World Central Kitchen (WCK), ndërsa shoqata bamirëse spanjolle furnizon anijen.
“Qëllimi ynë është të krijojmë një autostradë detare me varka dhe maune të pajisura me miliona vakte të vazhdueshme drejt Gazës”, tha themeluesi i WCK, Jose Andres.
Me mungesën e infrastrukturës portuale, WCK ka thënë se po krijonte një bankinë zbarkimi në Gaza me materiale nga ndërtesat e shkatërruara dhe rrënojat. Gjithashtu shoqata amerikane ka deklaruar se janë grumbulluar dhe 500 ton ndihmë të tjera në Qipro, të cilat gjithashtu do të dërgohen në Gaza./tvklan.al