Në Shtip u shënua 81 vjetori i dëbimit të hebrenjve të Maqedonisë në kampin e vdekjes “Treblinka”.
Me këtë rast, në mbledhjen komemorative në Komunën e Shtipit morën pjesë ambasadorja e Izraelit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Simona Frankel, kryetari i Komunës së Shtipit, përfaqësues të komunitetit hebre në vend, si dhe përfaqësues të Kuvendit dhe delegacione të institucioneve shtetërore dhe lokale.
Komuna e Shtipit çdo vit nderon 7.144 hebrenj nga Maqedonia e Veriut dhe 543 hebrenj nga Shtipi të cilët vdiqën në kampin “Treblinka”.
“Për mua është nder, si çdo vit të jem këtu në komemoracionin e komunitetit hebre që u deportua gjatë holokaustit ku u dërguan fillimisht në monopolin e Shkupit, pastaj në kampet e vdekjes në Poloni, ku u vranë gjatë holokaustit. Fatkeqësisht, shumë pak njerëz i mbijetuan këtij kampi të vdekjes”, tha ambasadorja izraelite Frankel.
Kryetari i Komunës së Shtipit, Ivan Jordanov në seancën e sotme komemorative me rastin e 81 vjetorit të holokaustit të hebrenjve, theksoi se Komuna e Shtipit çdo vit kujton 543 hebrenjtë që u deportuan në Treblinkë, por gjithmonë dilet me porosi se nuk duhet harruar kurrë dhe si i tillë të mos përsëritet.