Erdogan dhe Zelenskiy diskutuan sigurinë e anijeve në Detin e Zi, marrëveshjen e drithit dhe bashkëpunimi në mbrojtje
Turqia është gati të presë një samit midis Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës. Kështu deklaroi Presidenti turk Recep Tajip Erdogan pas bisedimeve me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Stamboll dhe shtoi se Turqia mbështet integritetin territorial të Kievit.
Erdogan dhe Zelenskiy diskutuan zhvillimet në luftën Ukrainë-Rusi, sigurinë e anijeve në Detin e Zi duke përfshirë marrëveshjen e drithit dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes.
“Që nga fillimi i luftës, ne po japim kontributin tonë maksimal që lufta të përfundojë në bazë të negociatave. Ne jemi të gatshëm të presim një samit paqeje ku do të marrë pjesë edhe Rusia. Nëse ka vullnet për të arritur një marrëveshje mes dy palëve për sa i përket ringjalljes së marrëveshjes së grurit, ne jemi të gatshëm të tregojmë mbështetjen tonë, siç e kemi treguar më parë.”
Erdogan theksoi se e rëndësishme është që Ukraina të qëndrojë në këmbët e veta ekonomikisht dhe të vendosë sigurinë e saj të përhershme dhe sipas tij Turqia do e mbështesë Ukrainën për t’u integruar me institucionet evropiane dhe atlantike.
Nga ana tjetër presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy theksoi se Rusia nuk do të ftohet në samitin e parë të paqes që do të mbahet në Zvicër.
“Ne nuk do të shohim përfaqësues rusë në këtë samit të paqes që do të mbahet në Zvicër, nuk do të ftojmë njerëz që bllokojnë, shkatërrojnë dhe vrasin gjithçka. Ne duam rezultate, duam vetëm paqe për Ukrainën. Pra, së pari vendet e qytetëruara të botës do të zhvillojnë një plan të detajuar, do të arrijnë një rezultat dhe më pas do të përfshijnë përfaqësues nga Rusia, ata që janë të gatshëm për paqe të drejtë.”
Zelenskiy vizitoi një kantier detar pranë Stambollit për të inspektuar punën në dy korveta që po ndërtoheshin për marinën e Ukrainës. Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha pas takimit me homologun rus Sergei Lavrov se ishte koha që Ukraina dhe Rusia të fillonin bisedimet për armëpushimin , por shtoi se kjo nuk duhet të nënkuptojë njohjen e agresionit rus. Vizita e Zelenskiy në Stamboll vjen përpara një vizite të pritshme të presidentit rus Vladimir Putin, për të cilën Kremlini ka thënë se do të jetë pas zgjedhjeve ruse më 15-17 Mars.
Klan News