Universiteti i Tetovës me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas organizoi Akademi solemne

Me rastin 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Universiteti i Tetovës sot në amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” organizoi Akademi solemne. Në këtë ceremoni ku morën pjesë kryesisht punonjëset e Universitetit nga stafi akademik, administrativ, bashkëpunëtorët si dhe drejtuesit e Universitetit, u vlerësua kontributi i gjithanshëm dhe i vazhdueshëm i gruas në të gjitha fushat e jetës.

Në këtë Akademi solemne, fjalë rasti mbajti Prorektorja për Financa Prof. Dr. Aida Baftjari-Yzeiri. Ajo deklaroi se ideja për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas lindi për herë të parë në fillim të shekullit XX, në periudhën e industrializimit të shpejtë dhe të ekspansionit ekonomik kur për shkak të kushteve të rënda të punës, shpesh organizoheshin protesta. “Më 8 mars të vitit 1857, femrat e punësuara në industrinë e veshjeve dhe të tekstilit demonstruan publikisht në Nju-Jork. Punëtoret e  tekstilit protestonin për shkak të kushteve të rënda të punës dhe pagave të ulëta. Demonstratat i shpërndau policia. Dy muaj më vonë, po këto femra themeluan edhe sindikatën. Më 8 mars, protesta organizoheshin edhe në vitet vijuese. Më e njohur prej tyre është protesta e vitit 1908, kur 15.000 femra marshuan në Nju-Jork duke kërkuar orar pune më të shkurtër, paga më të mira dhe të drejtë vote” – u shpreh Prof. Dr. Aida Baftjari-Yzeiri.

Në vijim të fjalës së saj ajo solli në vëmendje se raporti i femrës bashkëkohore me familjen, me shoqërinë, me organet e pushtetit dhe institucionet tjera qeveritare dhe joqeveritare nuk është thjesht një çështje dëshirash, por është çështje elementare e lirisë dhe të drejtave individuale dhe kolektive, çështje thelbësore e emancipimit dhe zhvillimit të shoqërisë sonë.

Ditën Ndërkombëtare të Gruas sot e festojnë shumë organizata në mbarë botën. Disa prej tyre kërkojnë që kjo ditë të jetë festë shtetërore në të gjitha vendet./tvklan.mk

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share