BE-ja dhe dhjetëra vende bëjnë thirrje për hetimin e vdekjes së Navalnyt

Më shumë se 40 vende i kanë përsëritur thirrjet të hënën për Rusinë që ta lejojë një hetim të pavarur ndërkombëtar për vdekjen e liderit opozitar rus në burg, Alexei Navalny.

Kjo thirrje u bë nga ambasadorja e Bashkimit Evropian (BE) në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, Lotte Knudsen, në emër të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe 16 vendeve të tjera, përfshirë Kanadanë, Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën.

“Ne jemi të zemëruar me vdekjen e politikanit rus, Alexei Navalny, për të cilën përgjegjësinë kryesore e kanë presidenti [Vladimir] Putin dhe autoritetet ruse”, tha Knudsen.

"Nuk të harrojmë": Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny, varroset në Moskë

“Rusia duhet patjetër të lejojë hetim të pavarur dhe transparent ndërkombëtar të rrethanave të vdekjes së tij të papritur”, shtoi ajo.

Navalny, kritiku më i madh dhe i zëshëm i presidentit Putin brenda Rusisë, vdiq në moshën 47-vjeçare në një burg në Arktik më 16 shkurt, duke nxitur akuza nga mbështetësit e tij se ai është vrarë.

Kremlini e ka mohuar se ka gisht në vdekjen e liderit opozitar, i cili u varros të premten në Moskë.

Komiteti Hetues i Rusisë thotë se e ka nisur një hetim procedural për vdekjen e Navalnyt, ndërsa Kremlini ka thënë se nuk i përgjigjet kërkesave të BE-së.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share