Një muaj pas akuzave izraelite se një duzinë e stafit të Kombeve të Bashkuara ishin përfshirë në sulmin e Hamasit të 7 tetorit, hetuesit e OKB-së nuk kanë marrë ende ndonjë provë nga Izraeli për të mbështetur pretendimet, megjithëse ata presin që disa materiale të vijnë “së shpejti”.
Akuzat kundër 12 punonjësve të Agjencisë së OKB-së për Ndihmën dhe Punët për Palestinën (UNRWA) bënë që 16 donatorë të mëdhenj të pezullonin kontributet që arrijnë në 450 milionë dollarë në një kohë kur më shumë se 2 milionë banorë të Gazës po përballen me urinë.
UNRWA thotë se po i afrohet “pikës së thyerjes” dhe ka pak fonde për të vazhduar funksionimin maksimumi për muajin e ardhshëm, shkruan The Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Zyra e OKB-së për Shërbimet e Mbikëqyrjes së Brendshme (OIOS) nisi një hetim më 29 janar në vazhdën e akuzave izraelite të paraqitura fillimisht në UNRWA në janar dhe i dha një përditësim mbi punën e saj sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, të mërkurën.