Zgjedhjet presidenciale dhe Parlamentare/ Nga nesër fillon inspektim publik i listës zgjedhore

Nga nesër, më 28 shkurt, do të fillojë inspektimi publik i Listës Zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare në të gjitha drejtoritë rajonale dhe zyrat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Në seancën e sotme të KSHZ-së, u theksua se inspektimi i Listës zgjedhore do të zgjasë deri më 18 mars, ndërsa përveç se në drejtoritë dhe zyrat rajonale, qytetarët mund ta kontrollojnë nëse janë në listë edhe përmes ueb-faqes https://izbirackispisok.gov.mk/. Në drejtoritë rajonale, po ashtu do të mundësohet kërkesa me shkrim për regjistrim, shtim apo fshirje të të dhënave të qytetarëve në Listën Zgjedhore. NGA KSHZ theksuan se sipas Rregullores së Punës dhe Kodit Zgjedhor, Lista Zgjedhore që do të shkojë në zgjedhje përmbyllet dhe nënshkruhet jo më vonë se 15 ditë para zgjedhjeve.

“Në interes të transparencës së procesit zgjedhor, apelojmë qytetarët që të përdorin të drejtën dhe të kontrollojnë të dhënat e tyre. Sipas Rregullores dhe Kodit Zgjedhor, të dhënat për Listën Zgjedhore janë dorëzuar për inspektim që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, 14 shkurt dhe pas inspektimit publik, nëse ka kërkesa të bazuara për ndryshime, KSHZ-ja do të veprojë në përputhje me rrethanat” – tha Boris Kondarko, KSHZ.

Nëtari i KSHZ-së Boris Kondarko, po ashtu përkujtoi se adresat e drejtorive dhe zyrave rajonale janë të shënuara në ueb faqen e KSHZ-së dhe të gjitha janë të vendosura në selitë e pushteteve lokale të komunave.

“Janë të njëjtat drejtori dhe zyra rajonale ku aktualisht është duke u zhvilluar procedura për mbledhjen e nënshkrimeve. Përveç inspektimit të drejtpërdrejtë publik në drejtoritë rajonale dhe zyrat e KSHZ-së, qytetarët mund të inspektojnë edhe ueb faqen tonë” – tha Boris Kondarko, KSHZ.

Krahas Thirrjes publike për verifikimin e të dhënave në Listën Zgjedhore për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, KSHZ në seancën e sotme miratoi edhe Udhëzimin për kryerjen e kontrollit publik të Listës Zgjedhore për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share