Greqia merr ‘timonin’ e misionit detar të BE-së në Detin e Kuq

Do të mbrohen anijet tregtare nga sulmet e grupit rebel Huthi

Athina do të drejtojë misionin detar të Bashkimit Evropian në Detin e Kuq për të mbrojtur linjat e transportit detar nga sulmet e militantëve Huthi në Jemen.

Një komitet sigurie i drejtuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis urdhëroi pjesëmarrjen e një fregate greke në operacionin e quajtur “Aspides”, sipas fjalës greke “mburojë”, operacion që u njoftua javën e kaluar.

Qeveria greke thotë  se është e rëndësishme t’i bashkohej misionit pasi sulmet Huthi kanë ndërprerë aktivitetet e anijeve tregtare në pronësi të Athinës.

Ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias gjatë një vizite në një bazë detare pranë Athinës ju drejtua marinës duke thënë se ky operacion nuk është pa rreziqe.

“Është një mision jashtëzakonisht i rëndësishëm, ne po shkojmë  në Detin e Kuq sepse e kërkojnë interesat tona kombëtare, jo për të mbrojtur dicka tjetër. Shoqëria greke po i kushton vëmendje dhe shpreson që të jeni mirë dhe të fortë dhe të ktheheni të sigurt. Unë jam plotësisht i vetëdijshëm se vendi po ju dërgon në një zonë të rrezikshme”.

Zyrtarët në Athinë e kanë përshkruar misionin si të natyrës mbrojtëse, duke shtuar se Greqia nuk do të marrë pjesë në sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara ndaj objektivave ushtarake të rebelëve Huthi në Jemen.

Huthit, që mbështeten nga Irani, thonë se sulmet e tyre ndaj anijeve tregtare me dronë dhe raketa janë në përgjigje të ofensivës së Izraelit ndaj Hamasit në Gazë që filloi në tetor.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share