Ekspertët: Suedia do të shërbejë si një qendër logjistike në një front lufte
“Më në fund”, kështu u shprehën suedezët pasi parlamenti i Hungarisë miratoi pranimin e Suedisë në NATO duke hequr pengesën e fundit.
“Jam i lumtur për këtë. Mendoj se është një ide e mirë dhe unë dhe të gjithë të tjerët ishim ndoshta pak skeptikë në fillim, por tani ndihem sikur është vendimi i duhur.”
“Kishte lloj-lloj planesh alternative për anëtarësimin, por në këtë moment, sigurisht, jam i lehtësuar, më shumë se i lumtur, mendoj.”
Votimi i Hungarisë i dha fund muajve të vonesave për të përfunduar ndryshimin e politikës së sigurisë të Suedisë. Tani, të gjithë aleatët ekzistues të NATO-s kanë ratifikuar tashmë statusin e anëtarësimit të Suedisë. Një ceremoni e ngritjes së flamurit pritet në selinë e NATO-s në Bruksel këtë javë.
Emma Rosengren, një studiuese në Institutin Suedez të Çështjeve Ndërkombëtare, shprehet se Suedia do të shërbejë si një qendër logjistike në të ardhmen për planifikimin e mbrojtjes, duke përfshirë transportin e personelit dhe materialeve në një front lufte. Vendi nordik aktualisht ka nënshkruar një marrëveshje me SHBA-në duke i dhënë akses të plotë në 17 bazat e saj ushtarake dhe madje ka njoftuar planet për të dërguar forca në Letoni.
Për kryeministrik Ulf Kristersson, lideri i koalicionit qeverisës të qendrës së djathtë të Suedisë, heqja e pengesës së fundit nga Hungaria e vendos Stokholmin në skenën botërore si një lojtar kyç në një bazë të re fuqie nordike. Ratifikimi hungarez, i mbështetur nga një shumicë e madhe ligjvënësish, do të nënshkruhet nga kryetari i parlamentit dhe presidenti i vendit brenda pak ditësh. Pas kësaj, formalitetet e mbetura, të tilla si depozitimi i dokumentacionit të anëtarësimit në Uashington, ka të ngjarë të përfundojnë brenda një kohe të shkurtër.
Klan News