Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kandidati i BDI-së për presidnet, Bujar Osmani është më afër mbledhjes së 10.000 nënshkrimeve, aq sa duhet për t`u zyrtarizuar kandidatura e tij për zgjedhjet presidenciale. Kordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi për Klan Maqedoni, deklaroi sot se procesi i grumbullimit të nënshkrimeve për kandidaturën e Bujar Osmanit po ecën sipas dinamikës së përcaktuar nga shtabi qendror i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe kjo shihet tek entuziazmi i qytetarëve.
“Të gjithë janë dëshmitarë se ekziston një entuziazëm i madh i qytetarëve për të mbështetur kandidaturën e Dr. Bujar Osmanit dhe kjo po reflektohet edhe në shifra, të cilat janë publike për gjithësecilin. Për kandidaturën e Bujar Osmanit janë nënshkruar mbi 9000, që në orët e para të mëngjesit të sotëm. Me këtë mbështetje që në ditën e parë Bujar Osmani qëndron në krye të tabelës si më i mbështeturi për të qenë kandidat për president”, tha Ademi.
Sipas Ademit, BDI ka pasur një përkrahje e cila i ka tejkaluar pritshmëritë e tyre, me çka dëshmohet edhe mbështetja për idenë e zgjedhjes së presidentit në Kuvend.
“Ideja e kryetarit Ahmeti për të pasur president në Kuvend, i zgjedhur me dy shumica, me shumicë të kualifikuar dhe me shumicë të batenderit, po përqafohet nga shumë qytetarë. Po përqafohet edhe nga ata të cilët nuk janë antarë të Bashkimit Demokratik për Integrim si një ide e qëlluar, si një ide racionale e cila edhe i kursen qytetarët, por edhe mundëson që Shqiptari të jetë në krye të presidencës. Prandaj me të njëjtin entuziazëm e presim edhe në ditët në vijim”, tha Arbër Ademi.
Pas kandidatit të BDI-së, Bujar Osmani, sipas të dhënave të KSHZ-së, renditet kandidati presidencial i partisë “ZNAM” Maksim Dimitrievski dhe profesorja Biljana Vankovska e cila është kandidate e partisë e “Majta”./tvklan.mk