KULEBA: E ARDHMJA JONË ËSHTË E PËRBASHKËT
Po humbi Ukraina, caku i radhës i Rusisë do të jetë Maqedonia e Veriut. Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani pas takimit me Ministrin e Jashtme të Ukrainës, Dmitri Kuleba, me të cilin u takuan në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork. Osmani theksoi se sot Federata Ruse është kërcënimi më i madh për sigurinë e Europës dhe Ballkanit Perëndimor.
“Po humbi Ukraina, ne do të jemi caku i radhës i Federatës Ruse. Është e rëndësishme të kemi largpamësi strategjike në vendin tonë, në mënyrë që përfundimisht t’i themi “Jo” Rusisë dhe “Po” për proceset integruese europiane në Ballkanin Perëndimor dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut” – tha Osmani.
Ministri i jashtëm ukrainas, Dimitri Kuleba, duke theksuar faktin se gjatë dy viteve të agresionit rus, Maqedonia e Veriut qëndroi fort pas Ukrainës, shprehu mirënjohje për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, si dhe për ministrin Osmani për lidershipin dhe mbështetjen e tij.
“E ardhmja jonë është e përbashkët, ajo e ardhme është Bashkimi Europian, e ardhme për paqe dhe prosperitet” – deklaroi Kuleba.
Ministrat Osmani dhe Kuleba patën fjalimet e tyre para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku dërguan mesazhe të qarta kundër agresionit rus në Ukrainë. /tvklan.mk/