Dinari serb në Kosovë / Be-ja konfirmon ftesën për takimin e Brukselit

Bashkimi Evropian ka konfirmuar ftesën për takim në Bruksel më 27 shkurt për dinarin serb. Në një përgjigje për korrespodentët shqiptar në Bruksel zëdhënësi Peter Stano ka kritikuar sjelljen e zv.kryeministrit Besnik Bislimi karshi kësaj ftese.

Bashkimi Evropian ka kritikuar sjelljen e zv.kryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi duke e quajtur atë të papranueshme, pas ftesës që ka pranuar Kosova për takim në Bruksel më 27 shkurt.

Sipas zëdhënësit të BE-së Peter Stano sjellja jokonstruktive e distancon Kosovën nga perspektiva evropiane.

“Ne shpresojmë se Bislimi do të vlerësojë përpjekjet, në vend, që në mënyrë të pabazë të akuzojë zyrtarë të BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme. Sjellja jokonstruktive nga ana e autoriteteve të Kosovës, dështimi dhe mungesa e angazhimit vetëm e distancon Kosovën nga perspektiva e saj evropiane”, tha Peter Stano.

Stano konfirmoi se BE-ja i kishte ftuar Kosovën dhe Serbinë për të biseduar për çështjen e dinarit.

“Zakonisht ne nuk i komentojmë korrespondencat me partnerët tanë, por ftesa nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë, sepse kjo i ishte lënë palëve të vendosin”, tha Stano.

Zëvendëskryeministri Bislimi refuzoi ftesën ndërsa ka kritikuar emisarin, Miroslav Lajçak, për shkelje të parimeve që i ka vendosur vet.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës – që parasheh euron si valutën e vetme në Kosovë ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, faktori ndërkombëtar ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të saj duke kërkuar një periudhë tranzicioni./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share