A do të jenë ndryshimet Kushtetuese kusht për formimin e Qeverisë së ardhshme?!

ZGJEDHJET 2024

Kandidati për president që mbështetet nga opozita shqiptare, Arben Taravari, gjatë një prononcimi për RTV Dukagjini, ka bërë publike se tendenca e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë që të gjitha partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në zgjedhje, të dalin me lista të përbashkëta. Sipas Taravarit, ky ka qenë një mision i pamundur.

Por, nëse nuk lista të përbashkëta, Taravari tha se ka një marrëveshje midis partive politike shqiptare, që ndryshimet kushtetuese dhe negociatat për në BE, të jenë kushti domosdoshëm për negociata me partitë politike maqedonase.

“Ne kemi një marrëveshje midis gjithë partive shqiptare. Mes veti – një marrëveshje xhentëlmene. Nuk hyjmë në Qeverinë që nuk garanton ndryshime kushtetuese dhe fillim të negociatave me BE-në. Të gjitha partitë” – tha Arben Taravari.

BDI-ja vlerëson se kjo çështje duhet të zgjidhet pas zgjedhjeve, para se të formohet qeveria. Sipas Artan Grubit, kjo do të ishte njëjtë sikurse në vitin 2011 kur menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, u miratuan Ligji për interpretim autentik të Ligjit për amnisti dhe Ligji për gjuhët

Grubi, në intervistën për “360 shkallë” nuk përjashton mundësinë e formimit të koalicionit qeveritar me VMRO-DPMNE-në, por, sipas tij, “vijat e kuqe” për BDI-në janë votimi i ndryshimeve kushtetuese dhe rrugëtimi evropian I vendit.

“Nëse VMRO-DPMNE i voton ndryshimet kushtetuese para formimit të qeverisë – pse jo? Nëse është reformuar, nëse është me orientim evropian, nëse dëshmon se është gati ta sakrifikojë të ashtuqujaturin rejting të saj, për të mirën e vendit, siç e bëri LSDM-ja, atëherë meriton shansin. Nëse nuk ndryshon qëndrim për ndryshimet kushtetuese, çfarë kërkon BDI-ja në një qeveri të tillë me partner që sheh zgjidhje alternative për BE-në. Në BDI s`ka alternativa për BE-në, NATO-n dhe miqësinë strategjike me SHBA-të” – deklaroi Artan Grubi.

VMRO-DPMNE-ja vazhdimisht ka insistuar se nuk do të pranojë ndryshimet kushtetuese, sic e quajnë nga kjo parti, sipas diktatit bullgar.

Nga kjo parti thonë se nuk janë të gatshëm të negociojnë për këtë temë dhe se në programin parazgjedhor do të ofrojnë planin për tejkalimin e situatës. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share