Në kufirin mes Polonisë dhe Ukrainës protestuesit hodhën grurin
Fermerët grekë nga pjesa qendrore dhe veriore e Greqisë si dhe Thesalia, mbërritën në Athinë me traktorë për të protestuar jashtë parlamentit kundër rritjes së kostove të energjisë, konkurrencës nga jashtë dhe përmbytjeve të fundit.
Protesta e tyre i bën jehonë ankesave në pjesë të tjera të Evropës, duke përfshirë Francën, Belgjikën, Holandën, Poloninë dhe Italinë, ku fermerët kanë organizuar demonstrata të ngjashme. Sindikatat e fermerëve grekë kanë qenë në negociata me qeverinë konservatore të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për javë të tëra, por thonë se masat e shpallura deri më tani nuk përmbushin shqetësimet e tyre.
Karvani i fermerëve nga Greqia Qendrore u nis rreth mëngjesit të së martës. Autokolona me mbi 120 traktorë nga zonat e Greqisë Qendrore dhe Thesalisë kaluan në qendër të Athinës, me protestën e cila pritet të kulmojë në sheshin kryesor Sintagma.
Për fermerët përmbytjet e vitit të kaluar ka shkaktuar dëmë të mëdha ekonomike që ka shkatërruar tokat dhe të mbjellat. Deri më tani ndër masat e shpallura nga qeveria është ulja e taksave dhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis u ka dërguar një mesazh të qartë fermerëve se qeveria nuk mund të japë asgjë më shumë se sa ka dhënë.
Ndërkaq protestat janë intensifikuar edhe në Poloni kryesisht në kufirin me Ukrainën. Fermerët polakë në Dorohusk deklaruan se nuk do të lejonin që asnjë kamion i vetëm të kalonte nga Polonia në Ukrainë ose anasjelltas, ndërsa një radhë kamionësh shtrihej për më shumë se 10 kilometra në pikën kufitare.
Në vendkalimin kufitar Medyka, protestuesit hapën kamionët dhe hodhën grurëne rruge. Ukraina e dënoi derdhjen e grurit si “provokim politik”.
Kievi thotë se eksportet e tij bujqësore përmes Evropës Lindore nuk i kanë dëmtuar tregjet e BE-së. Organizatori i protestës Marcin Ëielgosz tha se kufiri duhet të mbyllet dhe të rihapet me kontrolle më të rrepta për produktet e importuara nga Ukraina.
Protestave të ngjashme iu bashkuan edhe fermerët në Pragë. Qindra fermerë çekë futën traktorët e tyre në qendër të Pragës duke bllokuar rrugët. Dhoma Agrare planifikon protesta së bashku me fermerët e tjerë evropianë në pikat kufitare.
Klan News