Assange, në betejën e fundit për të shmangur ekstradimin në SHBA

Seanca dy ditore në Gjykatën e Londrës do të japë argumentet nëse themeluesi i Wikileaks mund t’i jepet leje për të apeluar vendimin e 2022-it

Themeluesi i Wikileaks Julian Assange do të bëjë përpjekjen e tij të fundit për të shmangur ekstradimin në SHBA.

Seanca dyditore në Gjykatën e Lartë në Londër do të dëgjojë ekipin e tij që argumenton se atij duhet t’i lejohet një apel i plotë. Prokurorët amerikanë kërkojnë që mbi Assange të rëndojnë 18 akuza në lidhje me publikimin e të dhënave sekrete konfidenciale ushtarake amerikane dhe kabllograme diplomatike. Ata argumentojnë se rrjedhjet e informacioneve rrezikuan jetën e agjentëve të tyre dhe nuk ka asnjë justifikim për kriminalitetin e tij.

Mbështetësit e shumtë të Assange e përshëndesin atë si një hero anti-establishment dhe një gazetar, i cili po persekutohet për ekspozimin e krimeve të supozuara të luftës. Betejat ligjore të Assange filluan në vitin 2010, dhe ai më pas kaloi 7 vjet i izoluar në ambasadën e Ekuadorit në Londër përpara se të burgosej në vitin 2019 për shkelje të kushteve të lirimit me kusht. Që atëherë ai është mbajtur në një burg të sigurisë maksimale në Londrën juglindore, ku edhe u martua atje.

Britania miratoi ekstradimin e tij në SHBA në vitin 2022 pasi një gjykatës fillimisht e bllokoi atë sepse shqetësimet për shëndetin e tij mendor nënkuptonin se ai do të kryente vetëvrasje nëse deportohej. Avokatët e tij do të përpiqen ta përmbysin atë miratim në një seancë dyditore përpara dy gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë të Londrës. Gruaja e tij Stella, javën e kaluar e përshkroi atë si një çështje jete a vdekjeje.

Mbështetësit e tij përfshijnë Amnesty International, Reporterët pa Kufij, organizata mediatike që punuan me WikiLeaks dhe politikanë australianë, duke përfshirë kryeministrin Anthony Albanese, i cili javën e kaluar votuan në favor të një mocioni që kërkonte kthimin e tij në Australi. Nëse Assange humbet, opsioni i tij i vetëm i mbetur do të ishte në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), ku ai ka një apel të depozituar tashmë në pritje të vendimit të Londrës.

WikiLeaks u bë i njohur për herë të parë në vitin 2010 kur publikoi një video ushtarake amerikane që tregonte një sulm të vitit 2007 nga helikopterët Apache në Bagdad që vrau një qindra njerëz. Më pas u publikuan mijëra dosje sekrete të klasifikuara që shfaqnin vlerësime shpesh shumë kritike të SHBA-së për liderët botërorë nga presidenti rus Vladimir Putin deri te anëtarët e familjes mbretërore saudite.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share