Rroga 1000 euro, sigurimi i ushqimit dhe banimit si dhe kushtet tjera ekstra po ofrohen për barinj në Maqedoninë e Veriut.
Por, pavarësisht këtyre kushteve pronarë të bagëtive dhe kopeve të dhenëve thonë se ka mungesë të tyre.
Në dekadat e fundit ky problem ka qenë mjaft aktual dhe me gjithë apelet e blegtorëve, autoritetet nuk kanë ndërmend ta zgjidhin. Askush nuk dëshiron të kullosë dhentë, sepse është një punë e përgjegjshme dhe jo tërheqëse. Numri i barinjve ulet çdo vit, sepse të rinjtë shpërngulen dhe nuk duan të kujdesen për delet, përcjell INA.
“Pavarësisht se rrogat janë të mira dhe janë mbi 1000 euro, po të merret parasysh se barinjtë kanë banimin e paguar, ushqimin falas, cigare falas, madje edhe internet falas, prapë nuk ka punëtorë të tillë. Kemi bërë apel në Ministrinë e Bujqësisë që ata persona që kërkojnë ndihmë sociale të vijnë të punojnë si barinj, pra të marrin asistencë sociale për gjashtë muaj dhe të vijnë për trajnim. Pasi të trajnohen do t’i punësojmë. Por ky propozim i yni mbeti vetëm në letër. Shpresojmë që kjo çështje të zgjidhet me qeverinë e re”, ka thënë për gazetën VEÇER, kryetar i “Agrocentar” Mitko Jankov.
Sipas tij, puna nuk është shumë e vështirë, por problemi është se barinjtë duhet të jenë gjatë gjithë kohës me delet. Ata punojnë 14 orë në ditë, nuk kanë pushim vjetor. Nga ana tjetër, ata duhet të përballen me sfida të ndryshme, si kushtet e pafavorshme të motit, sulmet nga kafshët e egra, sëmundjet, etj.
“Puna nuk është aq e vështirë sa është e mërzitshme. Barinjtë duhet të jenë gjithmonë vetëm me delet që çojnë në kullotë çdo ditë. Në vendin tonë bariu është pak i nënvlerësuar, por është një punë dinjitoze. Punojmë me krenari dhe nuk na vjen turp të na quajnë barinj. Kjo punë nuk kërkon arsim, madje mund të jenë edhe analfabetë”, thotë Jankov.