Autostrada Kërçovë – Ohër | Rustemi për REL: Ndërtimi i autostradës projekt i keq – s`ka kthim prapa!

Projekti i ndërtimit të autostradës Kërçovë – Ohër, është shembull se si nuk duhet të futemi në realizimin e një projekti të keq – thotë për Radion Evropa e Lirë, Drejtori i Ndermarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, Ejup Rustemi.

Por, përse projekti nuk është ndryshuar tërësisht? Rustemi thotë se janë shqyrtuar të gjitha mundësitë, por kur mbërrish në 80% të realizimit të projektit, s`ka kthim prapa.

“Tani kemi 13 rrëshqitje të reja të dheut dhe kur keni aq rrëshqitje dheu në ato vende që kanë qenë nga dy herë të projektuara dhe dy herë të ndërtuara, për herë të tretë paraqiten edhe 13 të tjera. Unë si drejtor kam edhe përgjegjësi juridike. Për këtë shkak të do të angazhojmë edhe një ekspert të jashtëm që duhet të gjejë zgjidhje teknike për stabilizimin e tërësishëm, që trafiku të jetë maksimalisht I sigurtë”, u shpreh drejtori i NP Rrugët e Maqedonisë, Ejup Rustemi.

Por, si duhet të bindet opinioni se vazhdimisht po ndodhin rrëshqitje të reja të dheut dhe se paraqiten probleme në terren? Drejtori Rustemi thotë se janë ndërmarrë masa që situata të sanohet sa më shpejtë.

“Nuk e them këtë unë si Drejtor, por e thonë edhe ekspertët, e thotë Ebti Shtetëror për Revizion, se kur ke një projekt të keq dhe futesh në realizimin, nuk mund të tërhiqesh, por duhet ta përfundosh. Dhe, një risi për këtë projekt. Tani është i projektuar për shpejtësi të vozitjes me 100 kilometra në orë. Do të thotë duhet ta realizojmë autostradën ku shpejtësia do të jetë 100 kilometra në orë”, thotë Rustemi.

Projekti për ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër po zgjat më shumë se një dekadë, kurse kostoja e ndërtimit është rreth 600 milion euro. Deri tani, dy herë është tejkaluar afati i ndërtimit, kurse në trasenë e rrugës sërish paraqiten probleme me rrëshqitjen e dheut.

Qeveria mbetet në qëndrimin se rruga është me prioritet, por ka përsëritur vlerësimin se projekti fillestar I Qeverisë Gruevski ka patur lëshime të mëdha gjatë projektimit./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share