OPOZITA SHQIPTARE
Përmes nënshkrimit të një deklarate për bashkëpunim, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit dhe VLEN, ku bëjnë pjesë Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lidhja Demokratike, së bashku edhe me përfaqësuesin e LVV nga vendi, Bekim Qoku, kanë zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor, për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare.
Ky koalicioni tani më ka marrë shkurtesën VLEN. Kryetari i ASH-së i cili është edhe kandidati i opozitës për president të shtetit tha se bashkëpunimi i opozitës po kalon më në një lëvizje, e cila kundërshtar kryesor do ta ketë sistemin e kalbur, siç e ka quajtur ai.
“Unë s’dua të përmend as kundërshtarë politik më. Ne do ta bëjmë betejën politike me një sistem të kalbur 22 vjeçar, e cila i mërgoi shqiptarët, i nënçmoi shqiptarët në çdo aspekt, e prishi dhe e shkatërroi gjithë sistemin e vlerave që ekzistonte te shqiptarët. Prandaj, kundërshtari jonë është sistemi i kalbur, kurse ne jemi opozita e bashkuar”, tha Arben Taravari.
Ndërkaq, lideri i Lidhjes Demokratike, Izet Mexhiti tha se, me kandidimin e Taravarit për president, do të dëshmohet se populli shqiptar është shumicë e dytë, i ka kapacitet intelektual dhe njerëzor që të shkojë në rrethin e dytë të garës për president të shtetit.
“Kjo deklaratë, është platforma përbashkuese e të gjitha subjekteve dhe faktorëve shoqëror që vlerësojmë se ka ardhur koha për ndryshimin e madh politik në vend. Sot, nga ky tubim ju bëjmë thirrje të gjithëve pa dallim, të rinj e të reja, të papërcaktuar e të dëshpëruar, aktivist dhe opinionist, bashkohuni me frymën e ndryshimit që po vjen”, tha Izet Mexhiti.
Bashkëpunimi opozitar shqiptar nënkupton që partitë që bëjnë pjesë në këtë koalicion të përbashkët, do të shkojnë me lista të përbashkëta në zgjedhjet parlamentare, ndërsa në zgjedhjet presidenciale do të garojnë po ashtu me kandidat të përbashkët, përkatësisht me liderin e ASH-së, Arben Taravari, i cili zyrtarizoi kandidaturën e tij ditë më parë./tvklan.mk