16 vjet pavarësi/ Politika shqiptare në RMV uron Kosovën!

Urime ditëlindjen e 16-të pavarësisë Kosovë! – ka shkruar nëpër rrjetet sociale, Kryeministri Talat Xhaferi.

“Urime qytetarëve dhe institucioneve kosovarë, me dëshirë që çdo gjeneratë e ardhshme ta ruajë me përkushtimin më të madh amanetin e të gjithëve që flijuan më të shtrenjtën për të, bashkë dhe të fortë!” – shkruan Kryeministri Xhaferi.

Çdo ditë e Kosovës sonë të lirë është përkujtim i qëndresës heroike dhe sakrificës së të gjithë atyre që iu përgjigjën sypatrembur kushtrimit të saj të lirisë – shkruan në Facebook, lideri I BDI-së, Ali Ahmeti.

“Kauza jonë e pastër triumfoi dhe sot në përvjetorin e 16-të të aktit të pavarësisë, krah për krah me vëllezërit tanë në Kosovë po hapërojnë drejt shtigjeve të përparimit dhe ardhmërisë europiane. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!” – shkruan Ali Ahmeti në Facebook.

Gjashtëmbëdhjetë vite përpjekje në drejtim të shtetndërtimit – shkruan kreu I Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

“E pakontestueshme ndërkombëtarisht në rrugën e BE-së dhe anëtarësimit në NATO, Kosova e pavarur është fakt i pahomueshëm për të gjithë” – ka shkruar në Facebook, Kasami.

Gëzuar Pavarsinë e shtetit të Kosovës! – thuhet në urimin e Arben Taravarit.

“Lufta e këtij vendi për liri është ende e freskët dhe duhet të na shërbejë si mësim se Askush dhe Asnjëherë nuk mund dhe nuk duhet të shtyp një popull dhe të drejtën e tij për të qënë Sovran!” – shkruan Taravari.

Edhe pse nën okupim dhe tirani, Kosova ishte djepi i çdo lëvizje kombëtare dhe vatër e dijes për çdo shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë – shkruan Ziadin Sela në Facebook.

“Ashtu si e kishim të përbashkët ëndrrën për liri dhe zhvillim, sot vazhdojmë bashkërisht të punojmë për të ardhmen tonë të përbashkët krahas popujve të civilizuar” – thotë Sela nëpër rrjetet sociale.

Gëzuar 16-vjetorin e Pavarësisë Kosovë! uroj që Kosova shumë shpejt të bëhet pjesë e BE & NATO – shkruan në rrjetin X kreu I PDSH-së, Menduh Thaçi.

Urimi vjen edhe nga kreu i Partisë Demokratike Evropiane, Arjanit Hoxha.

“Le të nderojmë sakrificat e bëra duke mos harruar se ata që udhëhoqën luftën e drejtë për liri sot padrejtësisht po akuzohen duke i’u pamundësuar të festojnë në liri ditën e pavarsisë të Republikës së Kosovës” – shkruan Hoxha.

“Zoti i mëshiroftë të gjithë ata dëshmorë që me gjakun e tyre e ujitën këtë frymim të lirisë dhe pavarësisë kombëtare dhe shtetërore” – thuhet në urimin e kreut të partisë POPULLI, Skender Rexhepi – Zejd.  /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share