Xhaferi – Rama: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shembull i fqinjësisë së mirë dhe i nevojiten Evropës 

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot pasdite në Mynih është takuar me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Në takim, siç njoftojnë nga Kabineti i Xhaferit, u theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe miqësia e madhe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, e cila është shembull i fqinjësisë së mirë në rajon, dhe si rrjedhim kontribut për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë.

“Lidhur me marrëdhëniet dypalëshe u konstatua se bashkëpunimi është gjithëpërfshirës, ka një rritje të trendit të shkëmbimit tregtar, dialogu politik është i rregullt dhe në të gjitha nivelet dhe synimi i përbashkët është integrimi evropian i dy vendeve dhe rajonit. Në takim u theksua se të dy vendet, me politika evropiane, i nevojiten Evropës dhe meritojnë të bëhen anëtarë të plotë të Bashkimit deri në vitin 2030 dhe se procesi i negociatave do të mundësojë procese reformuese efektive dhe avancimin të jetesës sipas standardeve evropiane, që është pritshmëria e qytetarëve. Në këtë drejtim, u vlerësua se konfirmimi më serioz politik nga BE-ja për integrim efikas evropian në Ballkanin Perëndimor është Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian. Dhe, u theksua përcaktimi për të avancuar kapacitetet ekonomike, me synimin e rritjes dhe zhvillimit të përshpejtuar ekonomik rajonal, sipas standardeve evropiane”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Xhaferi, siç thuhet në njoftim, konfirmoi praninë në Konferencë në nivel të lartë kushtuar Planit të rritjes të BE-së, në fund të këtij muaji në Tiranë, duke konstatuar se është një mundësi tjetër për të riafirmuar përkushtimin e rajonit për fuqizimin e mëtejshëm të lidhjes rajonale dhe tregun e përbashkët rajonal, si parakusht për përgatitjen për hyrje në tregun e përbashkët evropian. Dhe, ai konfirmoi praninë edhe në Samitin Evropa Juglindore – Ukrainë, në Tiranë, si një mundësi për të riafirmuar bashkimin me publikun demokrat ndërkombëtar, në mbrojtje të paqes.

Në takim u diskutua edhe për pritshmëritë nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare në këtë vend, duke theksuar rolin e subjekteve politike pro-evropiane që e kanë vendosur vendin në rrugën demokratike euroatlantike dhe para së cilës është realizimi i perspektivave evropiane, për nga rëndësia për të gjithë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për rajonin.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share