SHBA paralajmëron se qyteti ukrainas Avdiivka mund të bjerë në “duart” e Rusisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar se Rusia mund të pushtojë qytetin kyç lindor të Ukrainës, Avdiivkën. Në këtë qytet muajt e fundit janë parë luftimet më të ashpra.

“Avdiivka rrezikon të bjerë nën kontrollin rus. Rusia po dërgon valë pas valë forcash të rekrutuar për të sulmuar pozicionet e Ukrainës. Dhe për shkak se Kongresi nuk e ka miratuar ende projektligjin shtesë, ne nuk kemi qenë në gjendje t’i ofrojmë Ukrainës predhat e artilerisë që i duhen për të ndërprerë këto sulme ruse”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

Në fillim të kësaj jave, Senati i SHBA miratoi një paketë ndihme të huaj prej 95 miliardë Dollarësh, duke përfshirë 60 miliardë Dollarë për Ukrainën pas muajsh mosmarrëveshje politike, por ajo tanimë po përballet me një betejë të vështirë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ukraina është në mënyrë kritike e varur nga furnizimet me armë nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë perëndimorë për të qenë në gjendje të vazhdojë të luftojë Rusinë. Ndërkohë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky premtoi se do të bëjë gjithçka për të shpëtuar sa më shumë jetë ukrainase.

Qyteti, i cili është shkatërruar pothuajse plotësisht, shihet si një portë për në Donetsk aty pranë, kryeqyteti rajonal ukrainas i pushtuar nga luftëtarët e mbështetur nga Rusia në 2014 dhe më vonë i aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Moska./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share