Kryeministri Rama i jep Kosovës 3 këshilla përpara Sekretarit Antony Blinken

Gjatë konferencës për shtyp me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Kryeministri Edi Rama ka pasur disa këshilla drejtuar Kosovës.

Kreu i qeverisë tha se është në interesin e Kosovës që të përparojë unilateralisht nëse është nevoja në realizimin e të gjitha kërkesave që janë në tryezën e dialogut.

Po ashtu, ai bëri thirrje që Prishtina zyrtare të mos bëjë asnjë hap të pakonsultuar apo të pakoordinuar me aleatët strategjikë.

Në fund theksoi se nuk fitohet e ardhmja duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme për shkak të këtyre veprimeve.

“Sigurisht që e kemi nxitur, e nxisim dhe do vazhdojmë ta nxisim dialogun e pazëvendësueshëm me asgjë tjetër, mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA kanë qenë, janë dhe do të mbeten mbështetëse të palëkundura të procesit të njohjes përfundimtare të Kosovës dhe të përmbushjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe është mirë që asnjëherë shqiptarët kudo ku janë, duke filluar nga shqiptarët në Kosovë të mos e harrojnë se pa Shtetet e Bashkuara nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës. Interesi i SHBA-së në këtë rajon dhe specifikisht interesi i Shteteve të Bashkuara për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk është një interes i dorës së dytë, nuk është as edhe një interes i ndarë në çfarëdo aspekti nga interesi ynë në Shqipëri dhe në Kosovë për të ndërtuar një të ardhme në paqe dhe në prosperitet për gjeneratat e tjera. Padiskutim që ne ndihemi të keqardhur sa herë që shohim hapa mbrapa dhe padiskutim që ne jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e këtij dialogu, padiskutim ne jemi të vetëdijshëm për dhimbjen e plagëve të një tragjedie jo shumë të largët për ata që sot jetojnë në Kosovë. Padyshim jemi të vetëdijshëm edhe për faktin se në momente të caktuara, si rasti i sulmit terrorist në Banjskë, Serbia nuk është se e ndihmon gjithmonë siç duhet procesin, por ama në radhë të parë shqiptarët e Kosovës dhe pastaj të gjithë ne së bashku duhet të jemi të vetëdijshëm se është në interesin tonë, është në interesin e Kosovës që të përparojë unilateralisht nëse është nevoja në realizimin e të gjitha atyre kërkesave që janë në tryezën e dialogut, të cilat nuk janë kërkesa shtrënguese, nuk janë as kërkesa që Kosova të lëshojë një milimetër nga dinjiteti, sovraniteti apo ardhmëria e vet, por janë kërkesa që bëjnë të mundur përmes realizimit të tyre krijimin e një konteksti që e ngre lart republikën e Kosovës si një republikë që meriton të gjithë mbështetjen, të gjithë respektin, të gjithë besimin e aleatëve dhe të partnerëve tanë strategjikë, pa të cilët e ardhmja bëhet shumë me largët dhe e tashmja bëhet shumë më e ndërlikuar. Edhe sot pasi kemi diskutuar dua ta përsëris apelin tim, apelin tonë për autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë asnjë hap të pakonsultuar apo të pakoordinuar me aleatët tanë strategjikë sepse është në radhë të parë në interesin e tyre dhe patjetër është në interesin e aleancës sonë. Nga veprimet e pakonsultuar dhe pakoordinuara mbase mund të fitohen ca vota sot për sot, duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme, por nuk fitohet e ardhmja”, tha Rama./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share