Rama: Pa SHBA nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës

“Interesi ynë të ndërtojmë një të ardhme në paqe për gjeneratat e tjera”

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Rama tha se SHBA-të kanë qenë, janë dhe do mbeten mbështetëse të palëkundura të procesit të njohjes përfundimtare të shtetit të Kosovës dhe theksoi se ‘është mirë që asnjëherë shqiptarët kudo që janë të mos e harrojnë se pa SHBA-të nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës’.

“Siç dihet Shqipëria ka një politikë të dorës së shtrirë të miqësisë dhe duam që rajoni të shkojë përpara sepse në radhë të parë është në interesin tonë si popull. Sigurisht që e kemi nxitur dhe do vazhdojmë ta nxisim dialogun e pazëvendësueshëm mes Kosovës e Serbisë. SHBA-të kanë qenë, janë dhe do mbeten mbështetëse të palëkundura të procesit të njohjes përfundimtare të shtetit të Kosovës dhe është mirë që asnjëherë shqiptarët kudo që janë të mos e harrojnë se pa SHBA-të nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës. Interesi i SHBA për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri dhe Kosovë nuk është interes i dorës së dytë, as interes i ndarë nga çfarëdo aspekti, nga interesi ynë në Shqipëri dhe Kosovë, për të ndërtuar një të ardhme në paqe dhe prosperitet për gjeneratat e tjera. Pa diskutim që ne ndjehemi të keqardhur sa herë shohim hapa pas dhe pa diskutim që jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e këtij dialogu, për dhimbjen e plagëve të një tragjedie jo shumë të largët për ata që sot jetojnë në Kosovë. Padyshim jemi të vetëdijshëm që në momente të caktuara, si rasti i sulmit terrorist në Banjskë, Serbia nuk është se e ndihmon gjithmonë siç duhet procesin, por duhet të jemi të vetëdijshëm që është në interesin tonë, është në interesin e Kosovës, që të përparojë”, tha mes të tjerash Rama./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share