Qyteti Rafah bombardohet vazhdimisht, SHBA-ja dhe aleatët kundër ofensivës së planifikuar të Izraelit
Negociatat për një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza rifilluan në Kajro. Sipas mediave egjiptiane, zyrtarë të lartë të ShBA-së, Izraelit, Egjiptit dhe Katarit po takohen ndërsa Izraeli përballet me presion të fortë ndërkombëtar për të ndaluar bombardimet në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku janë strehuar rreth 1.5 milionë palestinezë.
Javën e kaluar kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu hodhi poshtë dhe e quajti “delirant” propozimin e armëpushimit të bërë nga Hamasi duke kërkuar “fitore totale”. Ai më vonë urdhëroi trupat izraelite të përgatiten për të zgjeruar operacionin e tyre tokësor në Rafah. Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut Volker Türk tha se çdo sulm ndaj qytetit do të jetë “i tmerrshëm” dhe shumë civilë “ka të ngjarë të vriten”.
Presidenti i SHBA Joe Biden bëri thirrje gjithashtu që civilët në zonë të mbrohen. Qyteti Rafah ka qenë nën sulme të rënda ajrore izraelite ditët e fundit, ku janë raportuar qindra vdekje dhe plagosje.
Disa familje palestineze të zhvendosura në Rafah të Gazës u larguan nga qyteti ndërsa mbi një milion civilë të grumbulluar në një cep jugor të enklavës palestineze presin në frikë sulmin izraelit.
“Humbën çdo gjë. Nuk dimë ku të shkojmë. Lutem që e gjithë bota të bëjë presion mbi Izraelin që ta përfundojë luftën dhe të na lirojë. Jemi të lodhur.”
Diskutimet në Kajro po vazhdojnë pavarësisht refuzimit të kushteve të Hamasit nga Izraeli. Kryeministri Netanyahu ka dërguar në bisedime shefin e tij të zbulimit, David Barnea. Atij i bashkohet kreu i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së ShBA-së, William Burns, zyrtarë të zbulimit egjiptian dhe kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani.
Të tryezë ekziston një kornizë për një armëpushim të përkohshëm, që përfshin lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe një periudhë qetësie. Krahas SHBA-së, një numër vendesh dhe organizatash ndërkombëtare e kanë paralajmëruar Izraelin kundër nisjes së ofensivës së planifikuar.
Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, u bëri thirrje aleatëve të Izraelit të ndalojnë dërgimin e armëve, pasi “shumë njerëz” po vriten në Gaza. Dhe të martën Afrika e Jugut i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) të shqyrtojë nëse ofensiva e planifikuar izraelite kërkonte masa shtesë emergjente për të mbrojtur të drejtat e palestinezëve.
Klan News