Zgjedhja e ministrave të ri / Xhaferi propozon në Kuvend ministrat Demiri dhe Bajrami

VMRO-DPMNE: ABSUR DISKUTIMI PËR MINISTRAT E RI

Pas shkarkimit të Fatmir Mexhitit dhe Azir Aliut nga pozita e ministrit të Shëndetësisë dhe atij të Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Kuvendi filloi sot debatin në seancë plenare për zgjedhjen e dy ministrave të ri nga radhët e ASH-së, që do të drejtojnë me këto dikastere deri në përfundimin e mandatit të qeverisë teknike. Siç edhe ishte paralajmëruar më herët, për ministër të Shëndetësisë, është propozuar Ilir Demir, ndërsa për atë të Shoqërisë Infromatike, Naim Bajrami. Propozimet për ministrat e ri, para deputetëve i elaboroi kryeministri teknik, Talat Xhaferi.

“Posaçërisht për propozimin për shëndetësi, Ilir Demiri, nuk ka nevojë për prezantim, sepse çdokush prej nesh, të paktën ne prej Pollogu, ka pasur rastin, personalisht apo një anëtar i familjes së tij, të kalojë në Klinikë dhe të shoh se si e menaxhon Spitalin Klinik në Tetovë. Për propozimin Naim Bajramin, magjistër i teknologjisë informatike, person i ri i cili ka marrë rastin të dëshmohet në profesion”, tha Talat Xhaferi.

E për VMRO – DPMNE-në, është absurde situata që Kuvendi diskuton dhe duhet t’i votojë ministrat e ri, me propozim të komisionit kadrovik të një partie, aq më tepër duke pasur parasysh zhvillimet aktuale rrjedhëse në këtë parti.

“Kjo nënkupton se, një parti, në komisionin e tij kadrovik, vendos që duhet të ndryshojë disa ministra dhe propozon dy të tjerë të cilët duhet të marrin funksionin dhe Kuvendi në këtë moment, diskuton për atë se si një parti dhe një komision i tij kadrovik vendos se si duhet të veprojë, në kushte kur vetë gjërat në atë parti politike nuk janë sqaruar deri në fund”, tha Bojan Stojanovski.

Mexhiti dhe Aliu u shkarkuan nga pozitat e tyre, pas përplasjeve brenda partiake në ASH rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme, pasi lideri i partisë Arben Taravari publikoi qëndrimin e tij se, në zgjedhje do t’i bashkohet koalicionit të opozitës shqiptare. Dy ministrat e shkarkuar, u radhitën në anën e Taravarit./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share