KQ I ASH-së MBLIDHET NË SHKUP
Me shumicë votash të anëtarëve të Kuvendit Qendror të ASH-së, u votua nisma për shkarkimin e Kryetarit të partisë, Arben Taravari.
Shkarkimin e kanë mbështetur 106 anëtarë të Kuvendit qendror nga 108 delegatë të pranishëm. Vendimi përfundimtar do të miratohet në Kongresin partiak.
“Si rezultat I këtij vendimi, pika e dytë e rendit të ditës ishte që të shkohet në Kongres më 18 shkurt dhe do të vendoset për nismën e miratuar nga Kuvendi Qendror të ASH-së, për shkarkimin e Kryetarit Arben Taravari, për shkak të shkeljeve të rënda të statutit të partisë”, tha Ziadin Sela.
Ziadin Sela ka përsëritur qëndrimin se ASH-ja duhet e vetme të shkojë në zgjedhje duke potencuar se ndryshimet kushtetuese do të jenë kusht për formimin e Qeverisë së ardhshme.
“Gjendemi në situatë kritike si shtet. Para nesh janë ndryshimet kushtetuese që duhej të kishin përfunduar që rruga drejt BE-së të ishte garantuara dhe me këtë të ketë më shumë stabilitet në kohën kur shumë aktorë politik nga lindja janë të interesuar për pasiguri dhe realizimin e qëllimeve të tyre gjeopolitike. Pa marrë parasysh kush do të jetë mandatari për formimin e qeverisë, së pari të bëhen ndryshimet kushtetuese e më pas të formohet qeveria”, tha Sela.
Përmes rrjeteve sociale ka reaguar edhe Kryetari i ASH-së, Arben Taravari, duke I quajtur të dështuara, sic tha, përpjekjet e BDI-së për të defokusuar se “e kujt është partia”.
“Prej sot nuk merremi më me këtë gjë. Kushdo që ka ankesa le t’i drejtohet Gjykatës” – ka shkruar Tavarari nëpër rrjetet sociale./tvklan.mk