Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur që Enver Sekiraqës, masa e arrestit shtëpiak t’i zëvendësohet me masën e paraqitjes në stacion policor një herë në javë.
Ndryshimi i kësaj mase u konfirmua nga mbrojtja e të akuzuarit, në një përgjigje për Klankosova.tv.
“Enver Sekiraqa ka qenë në masën e arrestit shtëpiak, dhe me vendimin e fundit i është zëvendësuar kjo masë me masën e paraqitjes në stacion policor një herë në javë”, tha avokatja Kosovare Kelmendi.
“Kështu që vazhdon të mbrohet në liri deri në fund të procesit gjyqësor, vetëm me masën e paraqitjes në stacion policor”, shtoi ajo.
Në një komunikatë të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, thuhet se ky vendim u mor pasi Sekiraqa nuk e ka shkelur masën e arrestit shtëpiak gjatë kohës kur ishte nën këtë masë.
“Gjykata duke vepruar sipas detyrës zyrtare, të akuzuarit E.S i ndërprenë masën e arrestit shtëpiak dhe kundër të njëjtit cakton masën e paraqitjes në stacion policor, e cila masë do të zgjasë në kohëzgjatje prej një muaji, ngase që nga data e caktimit të masës së arrestit shtëpiak me datë 15.10.2021 e deri me tash, i njëjti asnjëherë nuk e ka shkelur masën e arrestit shtëpiak. Duke pasur parasysh se i akuzuari gjendet nën masën e arrestit shtëpiak për më shumë se dy vite dhe se nuk ka pasur asnjë njoftim nga Policia e Kosovës se i njëjti në çfarëdo mënyre nuk e ka respektuar këtë masë, gjykata konsideron se edhe masa e paraqitjes në stacion policor, krijon kushte që procedura penale në këtë çështje të zhvillohet pa vështirësi”, shkruan në komunikatë.
Enver Sekiraqa, po akuzohet si shtytës për vrasjen e policit Triumf Riza, i cili u vra në vitin 2007.